Superiore, Kukësi e Tirana për fitoren me çdo kusht. Luhet edhe Teuta-Kamza

02/09/2018 14:03

Këtë të dielë do të luhen dy ndeshje të tjera të Kategorisë Superiore. Në orën 16:45, në “Loro Boriçi” të Shkodrës do të vihen përballë Kukësi dhe Tirana, dy skuadra që nuk kanë bërë mirë në dy javët e para të kampionatit.

Verilindorët vijnë në këtë ndeshje pas humbjes me Flamurtarin dhe barazimit me Laçin, ndërsa bardheblutë, të cilët janë rikthyer sivjet në Kategorinë Superiore, kanë regjistruar një humbje me Kamzën dhe një barazim me Teutën.

Kështu, të dyja ekipeve u duhet të fitojnë me çdo kusht.

Në orën 19:45 do të luhet ndeshja mes Teutës dhe Kamzës, me durrsakët që vijnë pas dy barazimeve pa gola me Flamurtarin e Tiranën, ndërsa Kamza ka tashmë 3 pikë, pikërisht ato të fitores me Tiranën.

Ndërkohë, një ditë më parë Flamurtari dhe Partizani fituan ndeshjet e tyre të radhës. Vlonjatët mundën Luftëtarin në Gjirokastër, 1-0, ndërsa Partizani fitoi me Kastriotin, po 1-0. Bregdetarët kanë kapur në krye Skënderbeun me 7 pikë secili, ndërsa “të kuqtë” e kryeqytetit mbajnë për momentin vendin e tretë me një pikë më pak.

Top Channel