Paralajmëron Kongresin të mos ndërhyjë, Trump: Kanadaja, jo patjetër në “NAFTA”

02/09/2018 08:32

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se nuk ishte e nevojshme që Kanadaja të mbetej medoemos pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Amerikën e Veriut (NAFTA), teksa paralajmëroi Kongresin të mos “ndërhyjë” në negociatat tregtare përndryshe ai do t’i jepte fund tërësisht paktit tripalësh tregtar.

“Nuk ka asnjë nevojë politike për ta mbajtur Kanadanë pas marrëveshjes së re të NAFTA-s. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje të drejtë për Shtetet e Bashkuara, pas dekadave të tëra abuzimi, Kanadaja do të qëndrojë jashtë”, shkroi Trump në Twitter. “Kongresi nuk duhet të ndërhyjë në këto negociata, përndryshe unë thjesht do t’i jap fund tërësisht NAFTA-s, pasi edhe kështu do të jemi shumë herë më mirë”, shtoi ai.

Trump njoftoi të premten Kongresin mbi qëllimet e tij për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me Meksikën, pasi bisedimet me Kanadanë u mbyllën po të premten pa arritur një marrëveshje për të riorganizuar NAFTA-n. Nga ana tjetër, Trump kishte njoftuar prej së hënës një marrëveshje të re me Meksikën.

Gjithsesi, ligjvënës amerikanë paralajmëruan në fundjavë se një marrëveshje me Meksikën vështirë se do të marrë miratimin nga Kongresi, nëse Kanadaja nuk është e përfshirë gjithashtu. Mbështetja nga demokratët duket e nevojshme për të kaluar një marrëveshje dypalëshe, thonë disa prej tyre.

Të hënën, kur njoftoi paktin me Meksikën, Trump kërcënoi me rritje të tarifa për automjetet kanadeze, nëse Kanadaja nuk iu bashkohej bisedimeve për riorganizimin e NAFTA-s, që është kritikuar vazhdimisht prej tij. Në një “cicërimë” të së shtunës, Trump përsëriti sulmin e tij se NAFTA kishte rezultuar me humbje për punësimin dhe bizneset amerikane.

Top Channel