Tuzi i Malit të Zi është zyrtarisht komunë. 1 shtatori ka finalizuar përpjekjet mëse 30-vjeçare të partive shqiptare në Mal të Zi.
Menjëherë pas kësaj marrëveshje historike në Malësinë e Tuzit dhe gjithë shqiptarët në Malin e Zi lindin disa sfida të tjera që në fakt janë kërkesë që shtrohen prej vitesh. Ministri i Pakicave Mehmet Zenka thotë se s’ka vend për kënaqësi.
Nga ana tjetër Nazif Cungu, ish-kryetar i komunës së Ulqin shprehet se shqiptarët në Tuz pas statusit si Komunë e Pavarur duhet që të organizohen mirë në zgjedhje, të përforcojnë administratën apo të kenë plane zhvillimore.
Nik Gjeloshaj është shqiptari, i cili pas 20 vitesh është zgjedhur një prej anëtarëve në komunën e kryeqytetit Podgoricës ndërsa është këshilltar edhe në Tuz aty ku jeton. I pyetur nëse Tuzi do mund të vetëqeveriset shprehet se kjo dilemë është e atyre që kanë qenë kundër statusit si Komunë e Pavarur ndërsa tashmë do kërkohet një buxhet në qeverinë malazeze.
Ideja për një bashkim të Tuzit, Plavës e Gucisë apo Ulqinit me Shqipërinë ashtu siç Kosova po kërkon komunat shqiptare në Serbi duket ende një ditë e largët.
Tri partitë shqiptare UDSH, Forca e Re Demokratike dhe Alternativa Shqiptare bënë koalicion në 2016-ën duke dalë së bashku në zgjedhjet parlamentare por më pas nisën sërish problemet mes tyre. Në zgjedhjet vendore të Tuzit dhe Ulqinit ky koalicion nuk funksionoi. Të gjithë janë një zëri për bashkim por kur afrohen zgjedhjet partitë politike shqiptare nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, përjashto marrëveshjen për statusin e komunës së Tuzit.
Me pozitivitet është pritur nga banorët e kësaj komune, ndonëse ka skeptik, të cilët nuk janë të sigurte nëse do arrijë të krijohet një pavarësi ekonomike nga Podgorica. Gjithashtu sfidë ngelet krijimi i administratës së re, tashmë me shumicë shqiptare.
Top Channel