Foto nga Superkupa e Shqiperise qe startoi edicionin e ri te futbollit shqiptar

Këtë fundjavë do të luhet java e tretë e Kategorisë Superiore, duke filluar nga ndeshja e pasdites së sotme Skënderbeu-Laçi, që është edhe përballja e vendit të parë dhe të dytë aktualisht pas dy javëve të luajtura.

Korçarët do të zhvillojnë këtë ndeshje pa tifozë, për shkak të penalizimit nga FSHF-ja për ngjarjet e javës së parë gjatë ndeshjes kundër Partizanit.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Laçit do të luhet në orën 19:45 në stadiumin e qytetit të Korçës.

Ditën e shtunë do të luhen dy ndeshjet e tjera të javës së tretë të Superiores.

Kryqytetasit e Partizanit do të pëballen me debutuesit e Kastriotit në “Selman Stërmasi”. Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega vjen në këtë përballje pas fitores me Kamzën, fundjavën e kaluar, që ishte suksesi i tyre i parë, gjithsesi trajneri i “të kuqve” kërkon përqëndrim maksimal për të mos nënvlerësuar një skuadër si Kastrioti, që në letër është më pak e fortë.

Edhe pse një diferencë shumë e madhe në emra dhe histori mes dy klubeve, pas dy javëve të para Partizani dhe Kastrioti ndajnë nga 3 pikë secili, me nga një fitore dhe një humbje.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e së shtunës do të jetë Luftëtari-Flamurtari, me dy realitete të ndryshme në këtë fillimsezoni. Gjirokastritët kanë regjistruar dy humbje në dy javë, ndërkohë që Flamurtari i Ilir Dajës shkon drejt Gjirokastrës me euforinë e fitores së parë në javën e shkuar, kundër një rivali të drejtpërdrejtë për vendet e para të klasifikimit, siç është Kukësi.

Top Channel