Luka Modriç qëndroi këtë verë të Reali i Madridit, por polemikat rreth tij mes ekipit “Los Blancos” dhe Interit nuk kanë përfunduar.

Presidenti i kampionëve të Europës, Florentino Perez deklaroi se Interi kërkoi të merrte Modriçin falas, gjë që atij s’i kishte ndodhur kurrë në jetë.

Reagimi nga ana e Interit nuk mungoi. Zv.presidenti Javier Zanetti, që ishte në Montekarlo për shortin e Champions League, theksoi se ai personalisht nuk i kishte dëgjuar akuzat e kreut të Realit të Madridit, duke shtuar se klubi milanez do t’i studionte me vëmendje pasi t’i kishte lexuar.

Vera ishte e nxehtë për Luka Modriç, që shkaktoi një luftë mes Realit dhe Interit. Lajmi mbi dëshirën e tij për të kaluar te zikaltrit i bëri të ëndërrojnë tifozët e kësaj skuadre. Por, madrilenët denoncuan Interin në FIFA për thyerje të nenit 18, paragrafi 3, të rregullave të transferimit të futbollistëve.

Klubi spanjoll akuzoi Interin se hyri në kontakte me futbollisti pa informuar më parë drejtuesit e Realit. Më 15 gusht, FIFA i kërkoi sqarime Interit, me këtë të fundit që nuk ngurroi të kthente përgjigje duke hedhur poshtë pretendimet e ekipit “Los Blancos”, duke shtuar se ishte Modriç, nëpërmjet agjentit të tij Vlado Lemiç, që iu vetofrua zikaltërve.

Deri në këtë moment, FIFA nuk ka hapur hetime në lidhje me këtë çështje, e me sa duket as nuk ka ndërmend ta bëjë, kështu që tek Interi mund të rrinë të qetë.

Top Channel