Bushati nga Vjena: Ja çfarë po mban “peng” Kosovën dhe Serbinë

31/08/2018 14:44

Gjatë takimit me ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian që po zhvillohet në Vjenë, ministri i Jashtëm Bushati foli për dialogun Kosovë-Serbi.

Bushati i cilësoi si mjaft inkurajuese zhvillimet e fundit dhe kryesisht dialogun mes Maqedonisë dhe Greqisë, si edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është e rëndësishme të rishihet angazhimi i të dyja palëve dhe çfarë është arritur në këto procese, sidomos në fushat që lidhen me energjinë, konektivitetin, njohjen reciproke të diplomave, tarifat e roamingut, të cilat në një farë mënyre po e mbajnë “peng” jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por tërë rajonin”, theksoi ai, duke inkurajuar vazhdimin e dialogut mes Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç.

Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, ky dialog ka nevojë të mbyllet me një marrëveshje reciproke, ligjërisht të detyrueshme, që do të sjellë më shumë stabilitetit në rajon dhe që do të rikonfirmojë shtyllat kryesore të angazhimit dhe parimet e familjes euroatlantike në rajonin tonë.

Gjithashtu në fjalën e tij, ministri Bushati vuri në dukje se, aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE nuk mundet të jenë të shkëputur nga vlerat dhe synimet që kërkon të arrijë politika e jashtme dhe e sigurisë e Bashkimit Evropian, mbi të gjitha, mbrojtja e një rendi botëror të bazuar mbi rregulla. Ministri Bushati theksoi qëndrimin e vazhdueshëm dhe konsistent të Shqiperisë dhe linjëzimin e plotë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë me BE duke theksuar se kjo politikë i ka rrënjet në vlera dhe norma demokratike që vendet tona po përpiqen të brendësojnë.Ai vuri në dukje se Ballkani Perëndimor ka fituar jo pak nga rendi multilateral dhe perspektiva euroatlantike dhe këto arritje duhen mbajtur dhe thelluar më tej.

Ndër të tjera, Ministri Bushati evidentoi progresin e konsiderueshëm që Shqipëria ka bërë kohët e fundit në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE si dhe fillimin tashmë të ‘screening’.

Top Channel