“Perandori” i alkoolizuar dhe në depresion: Interi më mbuloi!

30/08/2018 13:01

Ish-sulmuesi i kombëtares braziliane të futbollit, Adriano rrëfeu torturën e tij nga alkooli dhe depresioni, gjatë kohës kur militonte në Serie A.

I konsideruar një futbollist unik, por vetëshkatërrues për shkak të veseve, ai frymëzoi Interin në fitoren e titullit dhe Kupës së Italisë, por pranoi se gjatë aventurës me zikaltrit ishte shpesh prè e gjendjes së rëndë mendore dhe fizike.

Pas vdekjes së babait, Adriano pranoi se gjeti zgjidhjen te pijet alkoolike. Sipas sulmuesit, që u pagëzua nga mediet me emrin “Perandori”, Interi ka bërë të pamundurën për të fshehur problemet duke pretenduar publikisht se ishte i dëmtuar.

“Vetëm tani e kam kuptuar sesa kam vuajtur, pasi vdekja e babait më la një hapësirë të parikuperueshme. E gjeja shpëtimin te pija dhe konsumoja thuajse çdo gjë, verë, uiski, vodka apo birra. Nuk dija të ndaloja dhe në fund më duhej të ikja nga Interi”, tha ish-sulmuesi për revistën braziliane “R7”.

36-vjeçari pranoi se Interi bëri të pamundurën për ta shpëtuar, por vetëm rikthimi në Brazil e mbajti në jetë, edhe pse i kushtoi miliona.

“Nuk dija sesi ta fshihja problemin tim, madje shkoja komplet i dehur në stërvitjet e mëngjesit. Stafi mjekësor më vendoste në gjumë në infermieri, ndërsa në publik thonin se kisha probleme muskulare. Në Brazil nuk kam miliona, por gjeta lumturinë”, tha Adriano.

Top Channel