Mbrëmjen e së martës u përcaktuan 3 nga ekipet që do të avancojnë më tej në fazën e grupeve të Champions League, pasi siguruan kualifikimin nga faza “play off”.

Ajaksit të Amsterdamit i mjaftoi një barazim pa gola në Ukrainë, përballë Dinamos së Kievit, për të kaluar më tej. Holandezët kishin fituar pastër takimin e parë, 3-1, ndërkohë që në sfidën e kthimit humbën edhe një penallti me Tadiç, në minutën e 14.

Në ndeshjet e tjera, skuadra zvicerane e Young Boys bëri një përmbysje spektakolare ndaj Dinamos së Zagrebit, brenda në Kroaci. Takimi i parë ishte mbyllur në barazim 1-1, ndërkohë që në Zagreb, sfida kishte filluar më së miri për vendasit, të cilët që në minutën e 7 shënuan me Hajroviç dhe ishin shumë pranë kualifikimit.

Por, dy gola të Horo, në minutat 64’ dhe 66’, përmbysën gjithçka, dhe Young Boys ia doli të kapë fazën e grupeve.

Gjithashtu është kualifikuar për në fazën e grupeve edhe skuadra greke e AEK-ut të Athinës. Edhe pse barazuan 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi ndaj hungarezëve të MOL Vidit, atyre u shërbeu fitorja në ndeshjen e parë në transfertë, 1-2, për të siguruar kalimin për në raundin tjetër.

Top Channel