Lopetegui shijon 3 pikët: Rëndësi ka kolektivi, jo “yjet”

27/08/2018 13:41

Emërimi i tij në pankinën e Realit të Madridit shkaktoi një furtunë të vërtetë në kombëtare, që dha efektet edhe në Botëror, por Julen Lopetegui e di mirë se çfarë presin nga ai te “galaktikët”.

Trajneri, që u shkarkua nga Spanja një ditë para Botërorit, ka vlerësuar fitoren kolektive që mori në La Liga ndaj Gironës, e shmangu yjet e veçantë, me referencë të qartë Ronaldon e larguar.

Portugezi fitonte kopertinat në shumicën e kohës kur luante me “Los Blancos”, por tani tekniku i kryeqytetasve mendon se duhet të vlerësohet skuadra.

“Mendoj se ekipi ka më shumë rëndësi. Kur gjithçka funksionon golat vijnë nga Gareth Bale, nga Benzema, apo nga Sergio Ramos. E rëndësishme është që arrijmë të shënojmë dhe jo kush ishte autori. Dua të ritheksoj rëndësinë e kolektivit dhe jo të individëve. Ndeshja ndaj Gironës ishte e vështirë, por ditëm të tregojmë veten edhe kur ishim në vështirësi”, tha Julen Lopetegui.

Keylor Navas qëndroi i sigurtë mes shtyllave të portës, pavarësisht blerjes së bujshme të Courtois, por trajneri i Realit nuk pranoi të diktojë kush do të jetë titullar.

“Do të shohim sesi zhvillohet rotacioni mes portierëve, pasi kam 3 lojtarë të shkëlqyer dhe kam zgjidhje optimale”, tha Lopetegui.

Top Channel