Ligji anti-mafia “kap” Edmond Begon; Prokuroria e Krimeve të Rënda i heton pasurinë

26/08/2018 11:34

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të ligjit antimafia ka nisur verifikimin e pasurisë së biznesmenit Edmond Bego ose Mondi Bego, i akuzuar edhe si ish-anëtar i bandës së Aldo Bares.

Sipas burimeve të Top Channel, ky verifikim ka nisur këtë fundjavë, pasi emri i biznesmenit, u rikthye në qendër të mediave dhe politikës, javën e shkuar, pasi policia greke e ndaloi ne Igumenicë në bazë të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane.

Këto të fundit e kishin dënuar Begon në vitin 2008, me 21 vite burg për trafik narkotikesh dhe organizatë kriminale. Por ky vendim ishte njohur ne vitin 2010 në Shqipëri nga Gjykata e Lartë me vetëm kater vjet e katër muaj burgim, nga të cilat Bego kreu vetëm 1 vit e 11 muaj, pasi pjesa tjetër e dënimit iu fal nga Gjykata e Krujës.

  Greqia liron Edmond Begon; Përgjigjja e Interpol Roma: Nuk e kërkojmë

E gjithë kjo procedurë duket se e ka liruar biznesmenin nga dënimi Italian, pasi edhe vetë autoritetet italiane u tërhoqën nga arrestimi i tij duke u kërkuar autoriteteve greke që ta lironin pasi nuk e kishin më në kërkim.

  Gjykatësit e Manoli Begës i rrëzoi Vetting-u. Lulo, Dizdari dhe Imeraj s’u konfirmuan, Andrea u dënua për korrupsion

Por ndërkohë që Greqia priste përgjigje nga Italia, në Shqipëri emri i Begos u fut në kanalet e politikës si i afërm me eksponentë të mazhorancës qeverisëse.

Partia Demokratike, akuzoi kreun parlamentar të PS, Taulant Ballën se kishte lidhje me biznesmenin e dënuar për trafik droge dhe se e kishte mbrojtur atë. Madje PD, kërkoi nisjen e hetimeve nga prokuroria, pasi Edmond Bego kishte përfituar fonde publike nëpërmjet tenderëve edhe pse rezultonte i dënuar penalisht për trafik droge.

Pikërisht kjo pjesë pritet të verifikohet e para nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nëse biznesmeni duhej apo jo të përfitonte fonde publike ndërsa rezultonte i dënuar penalisht për trafik droge.

  PD, Bardhi: Bego fitoi tendera në kundërshtim me ligjin

Por burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kanë përjashtuar mundësinë edhe të hetimit të mirëfilltë pasuror ndaj Edmond Begos, duke patur parasysh të kaluarën e tij.

Pas vendimit për nisjen e hetimit, pasuror, prokuroria pritet të marrë vendimet e dënimit ndaj biznesmenit si dhe procedurat e tenderëva që ka fituar me fondet publike, për të verifikuar ligjshmërinë e tyre.

Top Channel