“Bashkitë” kundër taksës; Shoqata s’pranon që taksën e shtëpive ta mbledhë OSHEE

26/08/2018 13:06

Taksa e re e pronës do të mblidhet bashkë me faturat e energji elektrike. Kjo është zgjidhja që ka gjetur qeveria për taksen që ka nisur të aplikohet prej pranverës së këtij viti. Por shoqata e bashkive, një organizatë qe drejtohet nga kryebashkiakja e Shkodrës, është kundër këtij vendimi.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë nuk e pranon propozimin e Qeverisë që përcakton OSHEE-në si agjent të vjeljes së taksës së ndërtesës. Perfaqesuesit e kesaj organizate qe drejtohet nga kryebashkiakja e shkodres voltana ademi, japin edhe arsyet:

“Ky kontroll i tepruar duke ndërhyrë me këtë mekanizëm bie ndesh me parimet e decentralizimit, ndarjes se pushteteve”, u shpreh Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.

Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, thekson se projekt vendimi jo vetëm bie ndesh me legjislacionin por del edhe kundër synimit të Reformës Administrative Territoriale.

“Ligji për procedurat tatimore dhe taksat vendore i vitit 2006 ka përcaktuar qartë që vjelja e taksave dhe përcaktimi i agjentit të vjeljes së taksave vendore është përgjegjësi e bashkive. Bazike është fakti që ne kemi bërë një reforme administrative territoriale, me të mirat e të këqijat e saj, për sa kohë ndërtuam këto bashki të mëdha duhet t’ua besojmë atyre”, shprehet ai.

Për më tepër, precedentët nuk ndihmojnë optimizmin.

“Agjente qeveritare janë futur në lojë për mbledhjen e taksave edhe më parë me tatimin e thjeshtuar mbi biznesin e vogël për njësitë vendore, nuk solli asnjë rezultat. Ua hoqi komunave dhe bashkive ua dha drejtorisë së taksave, nuk dha asnjë rezultat, por konfuzion”, thekson Agron Haxhimali.

Sipas tij, parashikohet që për vitin 2018 taksa mbi ndërtesën të kapë vlerën e 31 milionë eurove. Nisma e Ministrisë së Financave i lejon OSHEE-së të mbajë për vete 4% të shumës që vjel.

“Nuk sqaron pse e ka përcaktuar masën 4%. Ka bërë ndonjë analize Qeveria në këtë drejtim, Ministria e Financave? Pse mos te jete 3, ose 2? Mbase dhe 5. Futja e koeficienti në mënyrë arbitrare më tregon që ka një vullnet më të mirë, ka një padituri. Pra situata nuk është e studiuar ose në fund mund të jetë e djallëzuar”, thekson Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.

Nga ana tjetër, bashkitë thonë se nuk kanë asnjë mekanizëm kontrolli mbi pushtetin qendror për të verifikuar sa shuma që u takon të marrin mbrapsht.

“Klima e bashkëpunimit institucional vertikal është shumë e dobët juridikisht, por edhe moralisht nuk besojnë institucionet tek njëra-tjetra. Në këtë drejtim edhe ne nuk besojmë që do ta marrim atë që do mbledhë OSHEE”, përfundon Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.

Në përgjigjen që Shoqata e Bashkive i ka dërguar Ministrisë së Financave, propozon që OSHEE të mos jetë i vetmi agjent për vjeljen e taksave duke i dhënë mundësinë bashkive të zgjedhin. Po ashtu, propozohet që komisioni të mos jetë fiks në 4% por të negociohet në çdo rast nga bashkitë me agjentin e vjeljes së taksës së ndërtesës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA