Partizani fitoi 0-1 në fushën e Kamzës, në javën e dytë të Kategorisë Superiore, duke marrë kështu 3 pikët e para që përmirësojnë dukshëm renditjen.

Në derbin me skuadrën e periferisë së kryeqytetit, formacioni i trajnerit Gega rrezikoi në jo pak raste, por në fund përmbushi objektivin, edhe pse me një sukses minimal.

Rastet ishin të shumta në të gjithë fraksionin e parë, por pika kulmore para pushimit erdhi në një aksion pa shumë pretendime për vendasit. Sebino Plaku u pengua në zonën e Partizanit duke fituar një penallti. Vetë sulmuesi mori përsipër goditjen, por dështoi përballë portierit Hoxha nga pika e bardhë, ndërsa shifrat nuk ndryshuan.

Në kuadratin tjetër, portieri Avdyli evitoi disa herë golin e miqve, por qëndroi i palëvizur në goditjen që prishi ekuilibrat, një kryevepër e Bruno Telushit që i dha avantazhin Partizanit për të mos e lëshuar më. Kamza provoi të rikthente barazpeshën, por ishte e paqartë në finalizimin e aksioneve.

Në sfidën tjetër të ditës, Laçi barazoi 1-1 me Luftëtarin, në një ndeshje që i jep kurbinasve kryesimin e përkohshëm. Ishte skuadra mike ajo që mori epërsinë në fundin e pjesës së parë në një kundërsulm të shpejtë. Në kohën kur kurbinasit protestonin për një penallti të mohuar, sfera u zhvendos në pak sekonda në portën e tyre dhe Vasil Shkurtaj i dha epërsinë Luftëtarit.

Rrjeta e barazimit për Laçin erdhi nga sulmuesi shkodran Shtubina, por përmbysja e madhe u regjistrua atëherë kur shpresat e vendasve ishin shuar. Në minutën e 5 shtesë vendasit shpërthyen në festë për golin e Gjonit.

Tani, Laçi është në vendin e parë, i vetëm pas dy javësh.

Top Channel