Investimet, paratë ikin jashtë. Nga Shqipëria dolën 291 milionë euro fitime të kompanive të huaja

25/08/2018 19:31

Kompanitë e huaja në Shqipëri nuk i përdorin paratë që fitojnë këtu për të zgjeruar më tej aktivitetin, por i transferojnë ato menjëherë në vendet e tyre.

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa thotë: “Kjo është një gjë mjaft shqetësuese, pasi burimi kryesor i investimeve të huaja janë fitimet e riinvestuara. Ne nuk presim më që të kemi investime të reja masive, siç kanë vërshuar gjatë 30 viteve të fundit dhe burimi kryesor i investimeve të huaja mbeten riinvestimi i fitimeve që krijojnë kompanitë në Shqipëri”.

Sipas FMN-së, në Shqipëri pesha e investimeve të huaja që vjen nga fitimet e riinvestuara është vetëm 15%, duke qenë një nga më të ulëtat në Evropë.

Por, pse investitorët e huaj nxitojnë t’i transferojnë fitimet e tyre jashtë dhe nuk i riinvestojnë ato sërish? Selami Xhepa thotë se arsyeja kryesore është risku që ata perceptojnë këtu.

“Risku buron së pari nga pasiguritë politike, ndryshimet e legjislacionit, klima e biznesit në vend. Fatkeqësisht, shumë raporte të kryera nga organizata biznesi apo institucione financiare tregojnë se klima e biznesit në Shqipëri mbetet problematike”, shpjegon Xhepa.

Por, veç riskut, ka edhe një arsye të dytë, që lidhet me zhvillimet demografike dhe ato të ekonomisë: “Tregu në Shqipëri është në tkurrje. Pra, popullsia po ulet, rënia e popullsisë së bashku me rënien e fuqisë blerëse e bën tregun jo shumë interesant dhe kjo bën që kompanitë e huaja të mos shohin mundësi për zgjerim”.

Vitin e kaluar, kompanitë e huaja që kanë investuar në Shqipëri transferuan 291 milionë euro fitime në vendet e tyre ose 35% më shumë sesa në vitin 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA