Zjarret “pushtojnë” periferinë e Berlinit, evakuohen banorët

24/08/2018 17:06

Zjarret në pyje që shpërthyen papritur në afërsi të Berlinit kanë detyruar evakuimin e banorëve të dy fshatrave pranë kryeqytetit gjerman.

Janë disa vatra zjarresh që digjen jashtë kontrollit, e më e keqja është se ato ndodhen shumë pranë një zone të mbushur me municione, gjë që e shton ndjeshëm rrezikun.

Mbi 300 zjarrfikës u përpoqën t’ui vinin frè flakëve të dhunshme, por pa shumë sukses. Njerëzit janë njoftuar me megafonë që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të marrin me vete vetëm sendet e nevojshme, duke u kufizuar mundësisht te dokumentet e identifikimit dhe ilaçet.

Mbi 540 banorë lokalë janë detyruar të qëndrojnë te të afërmit, e një pjesë tjetër e kaluan natën në godinën e Komunës së fshatit fqinj, Treuenbrietzen.

“Kemi pasur zjarre nëpër pyje më parë, por asnjëherë të kësaj magnitude”, tha kryetari i Komunës, Michael Knappe. Ironia është se, për disa zona të Berlinit dhe Brandenburgut, meteorologët paralajmërojnë shira, por në rajonin e përfshirë prej flakëve duket se nuk do të ketë reshje.

Situata ka prekur trafikun hekurudhor ndërmjet Wannsee dhe Jüterbog, e po kështu edhe disa trena që i drejtohen lindjes së Gjermanisë. Zjarret e së enjtes shpërthyen në disa zona njëherazi dhe janë shtrirë duke mbuluar një zonë prej 300 hektarësh, apo sa 400 fusha futbolli bashkë.

Sipas autoriteteve, erërat e forta mund të çojnë tym dhe hi nga këto fshatra deri në rajonet jugore të Berlinit. Brandenburgu është përballur me një verë jashtëzakonisht të nxehtë sivjet, ndërsa reshjet e shiut kanë qenë të pakta prej muajsh.

Top Channel