Tirana ndalet edhe nga Teuta. Dy ndeshje, asnjë gol në Superiore

24/08/2018 21:41

Tirana nuk arriti dot të marrë më shumë se një pikë në ndeshjen që ngriti siparin e javës së dytë në Kategorinë Superiore. Formacioni kryeqytetas, që këtë sezon pretendon kualifikimin në kupat europiane, u ndal në një barazim 0-0 nga Teuta, e në 180 minuta lojë në elitën e futbollit shqiptar nuk ka shënuar asnjë gol.

Finalizimi i aksioneve u konfirmua problem i Tiranës që në fraksionin e parë, me Sentamu dhe Karabecin që shpeshherë provuan zgjidhje individuale, por pa sukses. Ndërkohë, durrsakët provuan të përfitojnë nga hapësirat e bardhebluve në prapavijë, por fati dhe tranversa iu mohuan golin, madje prekja e lehtë e portierit Abibi rezultoi vendimtare.

Ze Maria dhe Shkëmbi, të dy trajnerë debutues në Superiore, shpresuan se kjo e premte do të sillte fitoren e parë të tyre dhe bënë zëvendësime për t’ia arritur, por ndeshja nuk regjistroi asnjë gol deri në fund. Tirana merr pikën e parë në Superiore, ku mungoi plot një vit, ndërsa Teuta koleksionon dy pikë në po kaq barazime.

Top Channel