Mourinho, një orë e gjysmë përpara në konferencë për të folur vetëm 8 minuta

24/08/2018 18:31

Atmosfera e tensionuar në “shtëpinë” e Manchester United përvijohet edhe pas humbjes befasuese me Brightonin.

Jose Mourinho habiti të gjithë, kur u paraqit në sallën e konferencës për shtyp rreth një orë e gjysmë para orarit të parashikuar, megjithatë pati shumë pak dëshirë të fliste, e këtë e tregoi edhe fakti që konferenca zgjati vetëm 8 minuta.

“Pogba ka folur për qëndrim të gabuar kundër Brightonit? Atëherë kërkojini atij shpjegime për çfarë ka folur”, është shprehur portugezi.

Sa u përket raporteve me administratorin e deleguar, Woodward, “Special One” nuk ka asnjë dyshim se janë të mira.

Megjithatë, mungesa e dëshirës për të folur i lexohej qartësisht në fytyrën e vrenjtur, mes një zhgënjimi dhe padurimi.

Këto kanë qenë javë të vështira për Mourinhon, ndoshta më të vështirat që kur është ulur në pankinën e “djajve të kuq”. Merkatoja e munguar ka përkeqësuar raportet me Woodward, përfaqësuesit të pronarëve amerikanë, ndërsa po ashtu edhe raportet me Paul Pogbanë që dëshiron të largohet drejt Barcelonës.

Javën e kaluar erdhi edhe humbja e parë me Brightonin, ndërsa përpara është sfida me Tottenhamin, pas të cilës, hija e Zinedine Zidane mund të rëndojë edhe më shumë mbi klubin nga “Old Trafford”.

Top Channel