Cristiano kthehet në vendin e “krimit” 144 ditë më vonë

24/08/2018 13:47

Cristiano Ronaldo ishte autor i një goli fantastik, që do të mbetet në mendjet e tifozëve të Juventusit në Champions League, gol që asokohe hidhëroi bardhezinjtë, por i bëri të shpërthejnë në një lumë ovacionesh, të cilat e dhanë efektin këtë verë.

Ai episod e afroi më shumë fituesin e “Topit të Artë” me kampionët e Italisë, duke ndezur edhe shkëndijën për transferimin “e shekullit”.

Tani, saktësisht 144 ditë më vonë, Ronaldo do të rikthehet në vendin e “krimit”. Mijëra tifozë të Juventusit po presin me ankth golin e parë të luzitanit me fanellën e re. Nëse kjo nuk erdhi ndaj Chievos në transfertë, sigurisht do të ishte ideale nëse do të regjistrohej përballë publikut të shtëpisë.

Ronaldo u fut këtë të enjte në “Allianz Stadium” për stërvitjen me ekipin, ndërsa të shtunën në orën 18:00 do ta bëjë sërish për ndeshjen ndaj Lazios.

Cristiano Ronaldo e di që ndaj romanëve nuk do të jetë një shëtitje, por tifozët kanë përgatitur një koreografi të bukur, që të stimulojnë lojtarin e tyre kryesor në debutimin në shtëpi.

Plot 144 ditë më parë, Ronaldo shënonte në portën e Juves me fanellën e Realit, duke merituar ovacionet e vendasve. Tani do të synojë t’i meritojë sërish me fanellën e duhur, në vendin e duhur.

Top Channel