Pas një viti mes shumë peripecish, “martesa” e sulmuesit Edgar Çani me Partizanin ka përfunduar gjatë ditës së sotme.
Lajmi është dhënë nga klubi i kuq, nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku thuhet se palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin, në mirëkuptim me njëra-tjetrën.
Sulmuesi 29-vjeçar erdhi verën e kaluar te Partizani, i kërkuar nga Mark Iuliano, që drejtoi të kuqtë deri në fund të fazës së parë të sezonit 2017-2018.
Gjithsesi 29-vjeçari ishte i pafat, pasi kaloi një kalvar dëmtimesh të njëpasnjëshme, duke kontribuuar shumë pak në fushën e lojës dhe duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në infermieri.
Së fundi trajneri i të kuqve, Skënder Gega kishte gjykuar se ish sulmuesi i kombëtares nuk kishte kondicionin e duhur fizik dhe e kishte lënë të stërvitej me Partizanin B, që militon në Kategorinë e Dytë.
Gjithsesi tashmë ka përfunduar gjithçka dhe Edgar Çani mbetet në pritje për të nënshkruar me një tjetër skuadër.
Top Channel