Rusia raporton për misionin konsolidues të Assadit në Siri

23/08/2018 20:04

Rusia ka zbuluar shtrirjen e përfshirjes së saj ushtarake në luftën e Sirisë. Një video e Ministrisë ruse të Mbrojtjes informon për mbi 63 mijë trupa ushtarake ruse që “kanë përfituar eksperiencë luftarake” në vendin e pllakosur nga lufta civile prej shtatorit të vitit 2015.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu është shprehur se, deri në fund të vitit të kaluar ishin dislokuar 48 mijë personel ushtarak. Nga videoja mësohet gjithashtu se Forcat Ajrore ruse kanë zhvilluar 39 mijë operacione nga ajri, duke shkatërruar 121.466 “objektiva të terroristëve” dhe duke vrarë më shumë se 86 mijë “militantë”.

Megjithatë, në video nuk përmendet aspak ndonjë viktimë mes ushtarëve rusë apo civilëve sirianë.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorues me seli në Londër, ka bërë të ditur nga ana e tij se të paktën 7.928 civilë dhe 10.069 luftëtarë janë vrarë nga sulmet ajrore ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes thekson përmes videos në fjalë se, forcat e saj kanë testuar 231 lloje të ndryshme armatimesh në Siri, përfshi avionë, sisteme raketore tokë-ajër, si dhe raketa “cruise”.

Forcat ruse kanë luajtur një rol kyç në konsolidimin e pozicionit të aleatit të tyre, presidentit sirian Bashar al-Assad, përgjatë 3 viteve të fundit.

Konflikti është kthyer bindshëm në favorin e tij, teksa forcat rebele janë zhvendosur në disa pjesë të vendit, kryesisht në rajonin e Ghoutës Lindore, pranë Damaskut, dhe në provincat jugperëndimore Deraa dhe Quneitra.

Forcat proqeveritare po përgatiten të ndërmarrin një sulm në bastionin e fundit më të rëndësishëm të rebelëve, në provincën veriperëndimore të Idlibit, ku jetojnë gjithashtu edhe dy milionë banorë të tjerë.

Zyrtarët në Moskë janë kujdesur të theksojnë se sulmet ajrore ruse kanë shënjestruar vetëm “terroristët”, por aktivistë të shumtë në terren thonë se ato kanë goditur më së shumti luftëtarët rebelë dhe civilët.

Hetuesit e OKB-së për krime lufte kanë dalë në konkluzionin se avionët sirianë dhe rusë kanë bombarduar spitalet, shkollat dhe tregjet, të cilat mbrohen bazuar mbi ligjin ndërkombëtar humanitar. Të dyja ushtritë respektive i mohojnë këto akuza.

Top Channel