Reforma e tokës, Afrika e Jugut kritikon ndërhyrjen e Trump

23/08/2018 14:50

“Unë i kam kërkuar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, të studiojë nga afër problemet me tokën në Afrikën e Jugut, konfiskimet e fermave, shpronësimet dhe vrasjet në shkallë të gjerë të fermerëve”, tha Trump në Twitter.

Mjaftoi kaq që të reagojë menjëherë Ministria e jashtme e Afrikës së Jugut, e cila kërkoi sqarimin e komenteve të Trump, nga ambasada e SHBA-ve në Pretoria, ndërsa zëdhënësja e presidentit Cyril Ramaphosa tha se Trump ishte “i keqinformuar”.

“Afrika e Jugut kundërshton tërësisht këtë perceptim të ngushtë, i cili vetëm kërkon të ndajë kombin tonë dhe na kujton të kaluarën tonë koloniale”, thuhej në një përgjigje ndaj komenteve të Trump-it nga një llogari zyrtare e qeverisë së Afrikës së Jugut.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ishte i disponueshëm për të komentuar menjëherë deklaratën e Trump në Twitter, duke thënë se kërkon kohë.

Presidenti Ramaphosa njoftoi më 1 gusht se Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC) në pushtet, ka në plan të ndryshojë kushtetutën, për të lejuar shpronësimin e tokës pa kompensim, pasi të bardhët ende mbajnë shumicën e tokës së Afrikës së Jugut.

Ramaphosa ka thënë se çdo reformë e tokës do të zhvillohet pa ndikim në rritjen ekonomike apo sigurinë e ushqimit. Asnjë tokë nuk është “konfiskuar” që nga shpallja e planeve të reformave, thotë ANC.

Deklarata e Trump duket se ka ardhur si reagim ndaj një raporti të Fox News të mërkurën, që u përqendrua në çështjen e tokës së Afrikës së Jugut dhe vrasjet e fermerëve të bardhë.

Krimi i dhunshëm është një problem serioz në të gjithë Afrikën e Jugut dhe 47 fermerë u vranë në 2017-18, sipas statistikave nga AgriSA, një bashkim shoqatash bujqësore.

Që nga fundi i aparteidit në vitin 1994, Kongresi Kombëtar Afrikan ka ndjekur një model, sipas të cilit qeveria blen fermat e të bardhëve për rishpërndarjen e tokave të zinjve.

Progresi ka qenë i ngadalshëm dhe shumica e afrikanëve të Jugut besojnë se diçka duhet bërë për të përshpejtuar ndryshimet, duke siguruar që kjo të mos dëmtojë ekonominë apo të ushqejë trazira.

“Reformimi i shpërndarjes së tokës dhe pronësisë do të jetë e mirë për Afrikën e Jugut. Do të ketë paqëndrueshmëri dhe shqetësime rreth të drejtave pronësore dhe kjo është e pashmangshme, por nuk presim që qeveria të veprojë në një mënyrë që destabilizon rrënjësisht sigurinë e investitorëve”, tha analisti politik Nik Borain.

Top Channel