Foto të postuara në median sociale të dy turistëve meshkuj që hyjnë dhe zhvishen në një shatërvan, pranë një memoriali në Romë, kanë ndezur një gjueti të vërtetë të policisë italiane që kërkon t’i arrestojë ata.
Fotot e publikuara fillimisht në një blog, tregojnë dy burra me mbathje që hyjnë në një shatërvan në Piazza Venezia. Shatërvani është pjesë e monumentit altari i atdheut që nderon mbretin e parë të Italisë dhe mban edhe varrin e ushtarit të panjohur, një nderim ky për trupat e rëna.
E zemëruar nga shfaqja e tyre, policia e Romës ka kritikuar sjelljen e paligjshme dhe fyese të vizitorëve dhe ka ndarë imazhet në facebook duke i bërë apel publikut të japë informacione mbi identitetin dhe vendndodhjen e tyre.
Policia thotë se ata janë të huaj, anglishtfolës. Janë të shumtë ata që janë jo pak të bezdisur nga degradimi që prek herë pas herë turistët.
Imazhet e shumëpolemizuara bënë edhe që zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini të shkruante në tëitter: unë do të dija si t’i edukoja këta idiotë nëse do të kapeshin. Italia nuk është tualeti i shtëpisë së tyre.
Ndërsa zëvendëskryebashkiaku i Romës, Luka Bergamo, kërkoi që ata të merrnin dënimin më të madh të mundshëm nëse do të kapeshin.
Javë më parë, një tjetër incident në një nga shatërvanët më të famshëm të Italisë, ai i Trevit, zuri vend kryesor në mediat ndërkombëtare.
Dy turiste të huaja u përleshën ashpërsisht për vendin më të mirë për të bërë selfie…dhe u desh ndërhyrja e policisë për t’i ndarë ato.
Top Channel