Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe një detyrim, të cilin çdo mysliman i mirë duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë.
Këtë detyrim e ndiejnë të fortë edhe myslimanët “Ahmadi”. Çështja është se ata nuk njihen nga pjesa tjetër e myslimanëve, për shkak të mënyrës së tyre të besimit, dhe Arabia Saudite ua ka ndaluar hyrjen në Mekë.
Nëse kapen duke kryer ritet e Haxhit, ata rrezikojnë arrestimin dhe deportimin. BBC foli me njërin prej tyre. Vitin e kaluar, ky besimtar e kreu Haxhin në fshehtësi, duke u ruajtur nga forcat vendase të sigurisë.
Ai thotë se ekziston rreziku që të të kapin. Por, “kur bën diçka për kënaqësinë e Allahut, atëherë e ke dhe mbështetjen e tij, sepse ai e di që je një mysliman i mirë”, thotë burri, i cili ka preferuar të mos identifikohet.
“Ahmadit” janë një komunitet brenda Islamit, të cilet nuk besojnë se Muhamedi ishte Profeti përfundimtar. Ata mendojnë se Mirza Ghulam Admad, i lindur në Indi në vitin 1835, erdhi në këtë botë për të ripërtërirë mësimet e Muhamedit.
Për rrjedhojë, degët e tjera të Islamit nuk e konsiderojnë këtë sekt pjesë të tij. Pakistani, në mënyrë të veçantë, i ka rezervuar një përjashtim drastik me ligjet e vendosura në vitin 1974, të cilat ndalojnë lirinë fetare për “Ahmadët”.
“Ahmadëve” pakistanezë u vendoset një vulë në pasaportë, ku deklarojnë besimin e tyre, e në bazë të kësaj shenje, Arabia Saudite ua ndalon hyrjen. Të vetmit që mund ta kalojnë janë ata me dyshtetësi, të cilët janë sidoqoftë të detyruar ta mbajnë të fshehur identitetin e tyre fetar.
Top Channel