F1, Ricciardo zbulon arsyen e ndarjes nga Red Bull, për të shkuar te Renault

23/08/2018 17:19

Pushimet mbaruan dhe Formula 1 do të rinisë të ofrojë spektaklin e saj që prej kësaj fundjave në pistën e Spa Francorchamps të Belgjikës, në një kohë kur shumë ndryshime për sezonin e ardhshëm tashmë janë bërë të ditura.

Mes tyre, ato që spikasin më shumë janë lamtumira e Alonsos nga F1, por edhe kalimi i Ricciardos nga Red Bulli te Renaulti. Ky i fundit ka shkaktuar edhe bujën më të madhe, por piloti australian e shpjegon kështu vendimin e tij.

“Ishte një vendim i marrë pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe sigurisht nuk ishte i lehtë. Kam pasur shumë pikëpyetje në mendje, që kur Max Verstappen rinovoi kontratën me skuderinë Red Bull. Mora kohën e nevojshme, por ndihesha i gatshëm për një ndryshim dhe për një sfidë të re. Besoj se ka ende shumë të panjohura sa i përket kalimit te motorët Honda për vitin e ardhshëm në skuderinë austriake. Padyshim që ekziston një risk i lartë, sikurse ekziston edhe te kalimi im vitin e ardhshëm, por gjithsesi nuk është faktori kyç që më shtyu të ndryshoj ambient. Mbi të gjitha doja një sfidë të re”, thotë Ricciardo.

Më tej, vëmendja kalon te kolegu i vështirë i skuadrës, Verstappen, me të cilin australiani ka pasur më shumë sesa një herë përplasje gjatë “bashkëjetesës” së tyre.

“Jo, aspak. Prania e tij te Red Bulli nuk më ka nxitur fare të ndërmarr këtë hap, edhe pse nga jashtë mund të duket ndryshe, – thotë Ricciardo. – Sigurisht që kemi pasur episode jo të lehta në pistë, siç ndodhi në Baku, por barazia mes nesh në skuderi ekzistonte gjithmonë. Këtë vit, deri në garën e Montekarlos gjithçka shkonte mirë me skuadrën, por nuk është se ka pasur ndonjë episod të veçantë që të më bënte të largohesha. Thjesht zbulova brenda meje shumë aspekte që më bënë të reflektoj mbi të ardhmen, por kurrsesi nuk ka pasur përkeqësim të raporteve me drejtuesit brenda skuderisë. Shumë, madje, besonin se rinovimi i kontratës ishte fakt i kryer. Edhe unë vet ndihesha shumë pranë Red Bullit, por më duhej të reflektoja dhe pas disa bisedave me krerët, nuk arritëm të gjenim akordin përfundimtar. Është një ndarje konsensuale, me gjithçka të qartë dhe në respekt të njëri-tjetrit. Unë garoj për të fituar Botërorin, është diçka që e them prej kohësh. Di edhe faktin që vitin e ardhshëm do të jetë diçka thuajse e pamundur për shkak të avantazhit që kanë Mercedesi dhe Ferrari, por në periudhë afatmesme, progresi i bërë nga Renault më ka inkurajuar shumë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA