Vandalizëm me biçikletat, Mobike kërcënon të largohet nga Mançesteri

22/08/2018 20:36

Mançesteri mund të jetë qyteti i parë në botë që braktiset nga Mobike, pas vjedhjeve dhe vandalizmit të vazhdueshëm. Firma kineze ka lëshuar një paralajmërim të fundit për banorët e Mançesterit pas një viti që ka parë një numër të konsiderueshëm biçikletash të dëmtuara, të vjedhura ose të hedhura në kanal.

Çdo muaj, 10% e flotës së Mobike në Mançester është zhdukur ose dëmtuar, sipas Steve Milton, udhëheqës i komunikimit global dhe i marketingut i Mobike. Shumë biçikleta janë gjetur sipër shtyllave, të braktisura nëpër qendra tregtare, të mbyllura në parkingje makinash apo të fshehura nëpër shkurre. Disave u ishin hequr GPS dhe ishin lyer me ngjyra të tjera.

“Ky nuk është një kërcënim i kotë. Humbjet janë të papërballueshme. Të gjithë janë të pakënaqur me situatën aktuale. Përdoruesit janë të pakënaqur sepse nuk mund të gjejnë biçikleta kur duan, policia është e pakënaqur sepse humb kohë me vandalizma dhe ne jemi të pakënaqur sepse nuk jemi duke ofruar shërbimin që duam”, deklaroi Milton.

Top Channel