Qeveria e futbollit europian iu dorëzua presionit, gjithmonë e më tepër në rritje, për të aplikuar sistemin e videoarbitrimit, diçka që ndan ende opinionin publik nëse është një e keqe e domosdoshme, apo diçka që zbeh vlerat e lojës më popullore.
UEFA ka vendosur më në fund që edhe në Champions League të implementohet sistemi VAR. Megjithatë, kjo risi sa i përket aktivitetit më të madh të klubeve në Europë, do të fillojë nga faza çerekfinale.
Në sezonet e shkuara futbollistike, sistemi VAR u testua në Bundesligën gjermane, në Serinë A në Itali, por edhe në finalet e kampionatit botëror këtë verë. Pas një sondazhi të bërë, rreth 75% mendojnë se sistemi VAR ndihmon në përmirësimin e standardit të gjykimit.
Komitetiti i UEFA-s do të miratojë përdorimin e këtij sistemi, në mbledhjen që do të zhvillojë javën e ardhshme në Monako, ndërsa vendimi përfundimtar merret në fund të muajit shtator.
Gazeta “Times” arriti të zbulojë projektin e UEFA-s, që deri më tani kishte bërë oponencë, pasi jo në të gjitha stadiumet ku luhet Championsi ekziston mundësia dhe infrastruktura për sistemin VAR. Pikërisht për këtë është vendosur videoarbitrimi në një fazë më të avancuar.
Top Channel