Ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar nga privati do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë plot 170 milionë euro më shtrenjtë se sa po të ndërtohej nga vetë qeveria.

Top Channel publikon dokumente zyrtarë që faktojnë se kostoja e rrugës është rritur në mënyrë të frikshme, në vetëm pak kohë. Kompania qe fitoi koncesionin është Gener 2, me të cilën qeveria po negocion kontratën.

Ky dokument është monitorimi i strategjisë sektoriale të transportit për periudhën 2016-2020, I hartuar nga qeveria në muajin qershor të këtij viti.

Në këtë dokument Ministra e Infrastrukturës ka listuar të gjitha akset kombëtare në ndërtim, apo që do të ndërtohen për katër vjeçarin 2016-2020.

Sic duket qartë, për rrugën Thumanë-Kashar kostoja totale e vlerësuar në bazë të preventivave është 169.3 milionë euro.

Por në të njëjtin muaj, vetëm pak ditë më vonë, qeveria zhvilloi tenderin për dhënien e ndërtimit të kësaj rruge më koncesion dhe mirëmbajtjen e saj nga privati për 13 vjet.

Në tenderin që u zhvillua në datën 18 qershor fatura e rrugës fluturoi nga 169.3 milionë euro që e vlerëson zyrtarisht qeveria në plot 337 milionë euro.

Kostoja shtesë 170 milionë euro është fatura që qytetarët shqiptarë do i paguajnë privatit në formën e interesave dhe mirëmbajtjes së rrugës për 13 vjet.

Thumanë-Kashar është një rekord i paprecedentë në historinë e financave shqiptare, ku një rrugë vetëm 20 kilometra e gjatë do të kushtojë plot 3 për qind e prodhimit kombëtar të Shqipërisë, saktësisht 16.2 milionë euro për çdo kilometër. Kjo rrugë do t’i kushtojë shqiptarëve aq sa harxhohet në një vit për gjithë sistemin arsimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA