Prej vitesh bota e librit është përfshirë në një krizë. Të mbash gjallë atë që ka qenë gjithmonë si një gjendje e bukur e njerëzimit, leximin e lire, nuk është e lehtë.

Një iniciativë e mirë vjen nga media prestigjoze që përzgjedh emra me ndikim për sugjerimet e tyre letrare. Së fundmi “Time” ka publikuar një listë librash sugjerime të ish-Presidentit amerikan Barack Obama.

“Po ishin libra që kishin të bënin me politikën, me motivimin, me historinë, çka është normale për profilin e një politikani si Barack Obama. Por në fakt prej kohësh, Jetona, jo vetëm “Time”, por të gjitha revistat e njohur që lidhen me letërsinë, me mendimin në botë kanë nisur një fushatë ndërgjegjësuese përsa i përket rëndësisë së leximit”, shprehet kritikja letrare, Alda Bardhyli.

Edhe në Shqipëri suplementet letrare kanë përzgjedhur shkrimtare, njerëz të letrave apo intelektuale për sugjerimet e tyre mbi librat që duhen lexuar. Një orientim i dukshëm bëhet kah letërsisë shqipe.

“Duke e nisur nga shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, Romanin Aksidenti. Tregimet e Kutelit janë tregime që mund të lexohen në çdo kohë. Petro Marko gjithashtu. Do të sugjeroja Diana Çulin. Ndër autorët e tjerë që do të sugjeroja është Besnik Mustafaj me “Autoportret me teleskop”. Për të gjithë ata që duan lexojnë një libër me poezi mund të marrin librin me “100 poezi dashurie” të Preç Zogaj. Për fat janë botuar shumë libra biografikë. Ilir Ikonomi ka bërë disa libra të kësaj natyre shumë interesante”, deklaron Bardhyli.

Për t’u ndalur më pas tek gratë krijuese dhe për të njohur mendimin apo një histori të secilës prej tyre, sugjerimet janë këto:

“Kemi disa femra, gra bashkëshorte të shkrimtarëve. Do doja ta nisja nga gruaja e parë, e cila ka sjellë një lloj emancipimi në letrat shqipe, duke treguar jetën e saj përkrah Dhimitër Shuteriqit, siç është Mynever Shuteriqi. Po kështu “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë. Edhe libri i fundit i Sadije Agollit, ku janë botuar letrat e dashurisë midis saj dhe Agollit është një libër interesant”, thotë Alda Bardhyli.

Top Channel