Lazio përballet me Juventusin, Strakosha studion gjuajtjet e Ronaldos

22/08/2018 14:12

E përditshmja sportive italiane, Corriere Dello Sport i ka kushtuar një artikull portierit të Kombëtares Shqiptare dhe njëkohësisht numrit 1 të Lazios, Thomas Strakosha.

Të shtunën në “Allianz Stadium” të Torinos, Juventusi do të presë Lazion, në atë që do të jetë debutimi zyrtar i Cristiano Ronaldos, para tifozërisë bardhezi, që pret ende golin e parë të portugezit.

Tetorin e kaluar, Lazio befasoi Juventusin duke e mposhtur me rezultatin 1-2, në një sfidë ku protagonist i padiskutueshhëm ishte Thomas Strakosha, i cili priti një penallti në minutën e 96′, ndaj argjentinasit Paulo Dybala.

Në artikullin e saj, Corriere Dello Sport rikthehet edhe njëherë te mbrëmja e 14 Tetorit të vitit të kaluar , përshkruan pritjen e famshme të Strakoshës dhe tregon se tashmë portieri i bardhekaltërve ka filluar të studiojë goditjet e Cristiano Ronaldos.

Pjesë nga artikulli i Corriere Dello Sport, kushtuar Strakoshës:
Dëshironte të fluturonte dhe fluturoi. Ishte një hedhje në pafundësi. Në minutën e 96-të të Juve-Lazio 1-2, më 14 tetor 2017, lindi përralla e Thomas Strakoshës.

Ishte ende një djalosh 22-vjeçar, që donte të bëhej dikush. Priti penalltinë e parë si profesionist. U hodh nga e djathta dhe bllokoi gjuajtjen e Paulo Dybalas. Priti deri në momentin e fundit dhe zgjodhi krahun e duhur. Shpëtoi Lazion, ndryshoi historinë. 15 vite pas fitores së fundit në shtëpinë e Juventusit, Lazio i tha faleminderit Strakoshës.

Sot, Strakosha po përgatitet për një tjetër Juve-Lazio, duke studiuar Ronaldon. Statistikat e CR7 shkojnë përtej shkencës, gjuajtjet e tij janë silurë, madje në 2014 topi i goditur prej tij “fluturoi” me 132 km në orë. Goditjet e lira i ka me efekt zbritës, gjuan gjithmonë 11-metërshat. Të gjithë e dinë se cili është Ronaldo, çfarë është i aftë të bëjë.

Kur shënjestron portën, në shumicën e rasteve duhet të mbyllësh sytë dhe të shpresosh… Nuk dihet se çfarë mund të shpikë sërish. Të shtunën, në Torino, pas “thatësisë” në Bentegodi, do ta kërkojë me çdo kusht golin. Strakosha po e studion në Formello dhe vjen i përgatitur me detyrat e shtëpisë, që të jetë gati. Zemra e tij po gufon.

Strakosha u bë i njohur pikërisht në Torino. Dybala e kishte mposhtur në finalen e Superkupës, dy muaj para asaj mrekullie. Më 13 gusht 2017, në “Olimpico”, numri 1 i Lazios u hodh i mposhtur nga e majta, ndërsa më 14 tetor ia kuptoi krahun argjentinasit. Kundërpërgjigjja e portierit shqiptar ishte gatuar në stërvitje: “I kisha përgatitur 11-metërshat me analistin dhe përgatitësin e portierëve Grigioni,” – tregonte atëherë Strakosha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA