Kosovë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeprokurorit Lumezi

22/08/2018 17:32

Organizata të shoqërisë civile në Kosovë bënë thirrje për protesta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi. Motoja e protestës është “Shkarkim Prokurorit – Vetting Gjyqësorit”.

Nisma pason akuzat e hedhura nga ish-prokurori Elez Blakaj, për politizim të Prokurorisë kosovare. Blakaj thotë se Lumezi është përpjekur ta frikësojë, e rrëfen në një letër publike se “është kërcënuar gjatë trajtimit të abuzimeve në hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Lumezi, gjithsesi këtë nuk e pranon.

“Nuk është e vërtetë se e kam kërcënuar me masa disiplinore, por kryeprokurori i shtetit, ju e dini, në bazë të rregullores së zyrës së prokurorit disiplinor ka të drejtë që të kërkohet secili prokuror në komisionin disiplinor. Por njëkohësisht edhe në bazë të rregullores për vlerësimin e performancës ka të drejtë ligjore të kërkojë ‘ad hoc’ vlerësimin e një prokurori, që unë nuk e kam bërë kërkesën në komisionin për vlerësimin e përformancës së prokurorëve të vlerësohet prokurori, të cilin ju e potencuat”, tha Aleksander Lumezi, kryeprokuror shteti në Kosovë.

Sipas Blakajt, në listat e veteranëve të UÇK-së, mbi 19 mijë persona kanë falsifikuar dosjet dhe janë bërë veteranë pa qenë fare në luftë, duke gëzuar kështu përfitime të shumta.

Ish-prokurori është zhvendosur në SHBA, duke dhënë dorëheqje nga detyra, dhe ky fakt i ka irrituar udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli.

Blakaj thotë në letër se dorëheqja e tij është “protestë dhe mesazh”, për shkak të politizimit të Prokurorisë së Shtetit. Ndërkohë, kreu i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, në të cilën punonte Elez Blakaj, tha se ai “asnjëherë nuk ka pasur informacion që zoti Blakaj të jetë kërcënuar nga dikush”, por di vetëm që ai “ka shkuar për të punuar në Amerikë”.

Top Channel