Disiplina, 5 ndeshje pa tifozë për Skënderbeun, 4 për Partizanin

22/08/2018 15:56

Episodet e dhunës dhe kaosi, që mbretëruan për disa minuta në ndeshjen e javës së parë të Kategorisë Superiore mes Skënderbeut dhe Partizanit, ishin fokusi kryesor i mbledhjes së Komisionit të Displinës.

Vendimet kanë qenë të ashpra dhe penalizojnë dukshëm të dyja ekipet pretendente për titullin.

Kështu, Skënderbeu është dënuar me zhvillimin e 5 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin e Korçës, ndërsa do të paguajë dhe një gjobë prej 300 mijë lekësh. Në arsyetimin e Disiplinës, dënimi thuhet se erdhi për sjelljen e gabuar të tifozëve, hedhjen e fishekzjarrëve në fushë dhe aktet e dhunës. Por, jo vetëm kaq.

Partizani u dënua gjithashtu për trazirat në javën e parë të Kategorisë Superiore dhe do të zhvillojë 4 ndeshje pa tifozë në shtëpi. Për shkak se klubi kryeqytetas nuk ishte organizator, por “të kuqtë” kishin faturën e tyre të fajit, ata do të luajnë 4 sfida pa mbështetësit e tyre. Partizani do të paguajë gjithashtu 200 mijë lekë gjobë për trazirat në transfertë.

Nuk i shpëtoi dënimit as presidenti i Laçit, Pashk Laska, për protesta ndaj vendimeve në Superkupën e humbur ndaj Skënderbeut. Ai dënohet me dy ndeshje pezullim nga aktivitetet dhe i ndalohet hyrja e qëndrimi në dhomat e zhveshjes, apo territorit rreth fushës. Mbetet për t’u parë nëse ky sanksion do të zbatohet, pasi e kaluara tregon se në shumë raste shkeljet lihen në heshtje.

Top Channel