Nga 110 mijë familje te varfra shqiptare që merrnin ndihmë ekonomike nga qeveria, në listë kanë mbetur vetëm 52 mijë. Largimi u bë me skemën e re hartuar me ndihmën e Bankës Botërore, por nga lista janë hequr edhe familje që kanë vërtetë nevojë për shkak se janë bërë viktima të verifikimeve nga një sistem kompjuterik.
Lam Xhipi jeton në kushte të vështira ekonomike bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij të vetëm. Për më shumë se 10 vjet një nga burimet kryesore për familjen e tij ka qenë ndihma ekonomike, deri një muaj më parë.
“Më prenë në besë. Shkova në bashki për të marr ndihmën më thanë ta kanë ndaluar, arsyen nuk e di.”, tregon ai.
Familja Xhipi, e cila tani jeton vetëm me një pagesë invaliditeti prej 10 mijë lekësh në muaj, është një nga shumë viktimat e skemës së re të ndihmës ekonomike.
E hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore, skema bazohet në një sistem kompleks pikëzimi dhe synon të pastrojë listat nga familjet që përfitojnë pa të drejtë. Por kriteret e ashpra dhe procedurat burokratike kanë skualifikuar edhe mijëra familje që jetojnë në mjerim.
“Më thonë shko këtej, shko andej. Unë skam fuqi dhe as di të bredh nëpër zyrat e shtetit”, thotë Lam Xhipi.
Në katër muajt e parë të vitit numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike u ul me 20 mijë, ndërsa krahasuar me vitin 2013 ai është përgjysmuar nga 110 mijë që ishin në 52 mijë.
Vetë Banka Botërore pranon se skema e re mund të ketë hequr ndihmën për shumë familje realisht të varfra. Në një raport të fundit ajo pohon se është në negociata me qeverinë për të shtuar më shumë familje në skemë.
Por deri atëherë mijëra të varfër janë të detyruar të jetojnë në mjerim, ashtu si familja Xhipi, viktima të një sistemi të ftohtë kompjuterik.
Top Channel