Berisha në stol, Gjimshiti në formacion në triumfin e Atalantës

20/08/2018 22:30

Seria A ka mbyllur javën e parë të saj, me sfidën Atalanta-Frosinone, ndonëse duhet thënë se dy takime të kësaj jave u shtynë për shkak të tragjedisë së Xhenovas, ku u shemb ura Morandi dhe humbën jetën 42 shtetas, mes të cilëve dy shqiptarë.

Në sfidën e luajtur në Bergamo, trajneri Gasperini befasoi të gjithë duke lënë në stol Etrit Berishën dhe duke hedhur nga minuta e parë një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti.

Përballë Frosinones debutuese, Atalanta nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren, duke shënuar tre herë në portën kundërshtare, me protagonist argjentinasin Papu Gomez.

Numri 10 fillimisht zhbllokoi sfidën në minutën e 14’, ndërsa në të 48-ën dhe 61-tën, shërbeu fillimisht për Hateboer dhe më pas për Pasalic, të cilët çuan rezultatin në 3-0. Në minutat shtesë argjentinasi kompletoi superndeshjen e tij, duke shënuar një gol spektakolar nga distanca dhe duke vulosur rezultatin final 4-0.

Vlen të theksohet se qendërmbrojtësi shqiptar, Gjimshiti bëri një ndeshje mjaft të kujdesshme, duke mos rrezikuar thuajse asgjë dhe shpesh duke marrë duartrokitjet e të pranishëmve.

Gjimshiti iu bashkua Atalantës në janar të 2016-ës dhe pas vetëm 3 ndeshjesh, dy sezonet pasardhëse i kaloi në huazim, fillimisht te Avellino në Serinë B dhe më pas te Benevento në Serinë A, sezonin e kaluar.

Këtë verë qendërmbrojtësi u rikthye në Bergamo dhe u vu në dispozicion të trajnerit Gasperini, që duke parë largimet e Caldarës dhe Spinnazolës, i besoi pikërisht shqiptarit një vend në formacionin titullar, në ndeshjen e parë të sezonit të ri të kampionatit italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA