Presidenti italian, Sergio Mattarella, kërkoi gjatë së shtunës se garanci se të gjitha rrugët e vendit janë të sigurta për udhëtarët, pas shembjes së urës “Morandi” në Genova, teksa përqafonte dhe ngushëllonte familjarët e viktimave në funeralin shtetëror të zhvilluar në qytetin portual italian.
Presidenti Mattarella foli një për një me të gjithë familjarët e viktimave përpara nisjes së ceremonive mortore për një pjesë të viktimave. Edhe pse zakonisht i rezervuar në sjelljen e tij, Mattarella u përqafua për një kohë të gjatë me një prej grave vajtuese për humbjen e njerëzve të saj më të afërt.
Më tej, ai u bashkua me krerët e tjerë italianë, përfshi kryeministrin Conte dhe ministrin e Transporteve, në sallën e tejmbushur të funeralit shtetëror. Ai e quajti funeralin, që u mbajt në ditën e zisë kombëtare pas tragjedisë, “një moment pikëllimi, dhimbjeje të përbashkët, jo vetëm të gjenovezëve, por për të gjithë Italinë”.
Një prej vajtuesve, banor lokal i identifikuar vetëm si Alessandro, mbante në duar një parullë, ku shkruhej “Në Itali, ne preferojmë më shumë prerjen e shiritave, sesa mirëmbajtjen”, duke iu referuar kështu infrastrukturës së rrënuar të vendit.
“Këto janë gabime që vazhdojnë të përsëriten. E tani, për të disatën herë, engjëjt nisën fluturimin e tyre drejt parajsës dhe paguan për gabimet e qenieve njerëzore”, tha Alessandro.
E ndërkohë që qyteti nderonte viktimat, numri i fatkeqëve të shembjes së urës gjatë së martës u rrit në 43, pas zbulimit të 4 trupave të tjera nën rrënoja, si dhe vdekjes në spital të njërit prej të plagosurve më rëndë nga tragjedia.
Zjarrfikësi Stefano Zanut tha për “Sky TG24” se kishin nxjerrë nga rrënojat një makinë të shkatërruar, me të cilën po udhëtonte një çift italian për pushime, së bashku me vajzën e tyre 9-vjeçare. Zanut shtoi se, trupi i fundit i nxjerrë nga rrënojat ishte ai i një të riu italian, punonjës i kompanisë së përpunimit të mbetjeve të Genovas, i cili po punonte nën urë në momentin e shembjes. Nëna e tij refuzoi të largohej nga tenda e ngritur disa qindra metra larg vendngjarjes, derisa trupi i tij u gjet.
Ndërkohë, “RAI” bëri të ditur se autoritetet italiane besojnë tashmë se nuk ka më të zhdukur nga kjo tragjedi. Por, pak më vonë, spitali “San Martino” njoftoi se një shofer kamioni nga Rumania, i cili kishte pësuar dëmtime të rënda në kafkë dhe në gjoks, ndërroi jetë pasditen e së shtunës.
Familjet e 19 viktimave vendosën të merrnin pjesë në funeralin shtetëror, me një meshë të drejtuar nga kryepeshkopi i Genovas, kardinali Angelo Bagnasco. Mes arkivolëve ishin edhe ato të dy myslimanëve shqiptarëve që jetonin e punonin në Itali. Arkëmortet e tyre u bekuan në fund të shërbesës katolike nga një imam i Genovas, i cili mori duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve, kur iu lut Zotit të “mbronte Italinë dhe italianët”.
Lojtarë të një ekipi amator lokal, Campi Corniglianese, ishin të pranishëm në shenjë nderimi ndaj njërit prej tyre që humbi jetën në tragjedi. Ai ishte shqiptari 22-vjeçar, Marjus Djerri, i cili luante për këtë ekip të Serisë D italiane, por që në atë moment fatkeq ishte duke udhëtuar për në punë, së bashku me bashkëkombasin tjetër Admir Bokrina. “Mariusi ishte një djalë i artë. Ndoshta lojtari më i fuqishëm në fushë, por si person do të doja që të gjithë lojtarët të ishin sadopak si ai”, tha presidenti i ekipit amator, Augustus Pintus.
Futbollistët dhe trajnerët e dy skuadrave kryesore të qytetit, Genoa dhe Sampdoria, morën pjesë gjithashtu në ceremoni, pasi ndeshjet e tyre këtë fundjavë të vlefshme për javën e parë të Serie A u shtynë në shenjë respekti për të vdekurit. Por, në funeralet e viktimave të tjerë të tragjedisë, të zhvilluara të premten privatisht, vajtues të irrituar fajësuan autoritetet për neglizhencë dhe moskompetencë, pasi dështuan të garantonin sigurinë e asaj ure.
Top Channel