Britani, ngrihen akuzat për 29-vjeçarin e sulmit në “Westminster”

19/08/2018 09:21

Më pak se 5 ditë u kanë mjaftuar hetuesve britanikë për të ngritur akuzat për “tentativë vrasjeje”, ndaj 29-vjeçarit Salih Khater, nga Birminghami, i cili përplasi disa këmbësorë e çiklistë, përpara se makinën “ta parkonte” në barrierat e Parlamentit britanik.

Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të 14 gushtit, kur britaniku me origjinë sudaneze drejtoi mjetin e tij drejt çiklistëve e këmbësorëve përpara “Westminster”-it, vetëm pak para se të përplasej me një nga pengesat dhe të rrethohej nga policë të armatosur rëndë, të cilët bënë arrestimin e tij në flagrancë.

Rasti është trajtuar si një sulm terrorist, thotë një zëdhënës i Policisë Metropolitane të Londrës. Ai pritet të dalë përpara drejtësisë në “Westminster Magistrates’ Court”, të hënën më 20 gusht.

Tre persona mbetën të plagosur në atë incident, i cili u hetua si një rast i lidhur me terrorizmin nga prokurorët, për shkak të vendit ku ndodhi, metodologjisë, si dhe shënjestrave, që ishin civilë dhe oficerë policie.

Khater, një shtetas britanik me origjinë nga Sudani, akuzohet tashmë për “tentativë vrasjeje” të personave jashtë Parlamentit, si dhe për “tentativë vrasjeje” të oficerëve të policisë.

Top Channel