Ze Maria: Sot shkëlqyen vetëm tifozët, Tiranën e shikoni pas javës së tretë

18/08/2018 22:25

Tirana nuk është ende gati për Superioren, i këtij mendimi është trajneri brazilian i bardhebluve Ze Maria i cili në intervistën pas ndeshjes ndaj Kamzës, theksoi se Tirana e vërtetë do të shikohet pas ndeshjes së 3-të, kur të rikthehen edhe portieri Lika e sulmuesi N’Goo, si dhe lojtarët e afruar në këtë merkato të jenë përshtatur më mirë me grupin.

E kishit menduar një debutim të tillë me humbje?
Është normale që prisnim një fitore, nuk jam i kënaqur me një humbje të tillë. Lojtarët patën emocione në këtë rikthim në Superiore. Fitorja e vetme ishte që rikthyen tifozët, kjo ishte e vetmja shije e mirë nga kjo ndeshje.

Çfarë duhet ndryshuar për ndeshjen e dytë?
Ne pretendojmë të shkojmë shumë larg. Tiranën e vërtetë do e shihni pas ndeshjes së tretë. Tirana do të jetë për pjesën e sipërme të tabelës.

Pse duhet pritur ndeshja e tretë?
Sepse kanë arritur kaq shumë lojtarë të rinj, gati gjysma e skuadrës. Hasani, Blazhevski, apo edhe dy lojtarët nga Afrika. N’Goo dhe Ilion Lika kanë munguar. Abibi bëri një ndeshje të mirë, por Lika i jep një tjetër shtysë ekipit.

Çfarë do bëjë Tirana pa N’Goo?
Nuk jemi të varur vetëm nga N’Goo, pasi edhe Greca e Sentamu kanë shënuar. N’Goo krijon më shumë volum prej lartësisë, por duhet të presim pasi lojtarët e ardhur më vonë duhet të kapim ritmin. Ndoshta ndryshimi mund të vijë edhe që javën tjetër, dhe mos të presim javën e tretë.

Ekuilibër i brishtë psikologjikisht. Si do e administrojë trajneri këtë situatë?
E kemi nisur që nga edicioni i kaluar, dhe duke qenë se u rikthyem, është një hap pozitiv. Sot, kapiteni ka bërë një ndeshje të mirë, dhe ai i pari duhet të japë shembullin e një psikologjie të fortë. Është një përgjegjësi edhe e imja që ta rregulloj këtë situatë, dhe mendoj se do t’ia dal.

Top Channel