“Marrëveshje dhe njohje”, Thaçi: Në fund Serbia do të na njohë. Do hyjmë në OKB

18/08/2018 12:09

Hashim Thaçi thote se përfundimi i bisedimeve me Serbinë duhet të përmbyllët me njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Presidenti i Kosoves i bëri këto komente nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter. “Fundi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe shënimin e kufirit 400 kilometra në mes të dy vendeve, duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata tjera. Opinionet tjera rreth rezultateve të këtij dialogu, janë të pakuptimta apo interpretime false“,thuhet në mesazhin e tij.

Idetë e qarkulluara kohët e fundit mbi ndarjen tokësore të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo ‘korrigjimin e kufirit” në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Prishtine-Beograd, kanë ndezur debate të zjarrta. Me korigjim kufiri, Thaçi nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, rajonit me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Propozimi i tij është kundërshtuar nga pothuajse të gjithë udhëheqësit politik në vend, të cilët pohojnë se ato mund të dëmtojnë shtetësinë e Kosovës. Kundër idesë së ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të popullatës në Ballkan është shprehur madje edhe kreu i shtetit maqedonas, Gjorge Ivanov, i cili thekson se kjo mund të ketë efekte negative zinxhirë ndaj zonave tjera, edhe më gjerë.

Precedentët në Ballkan janë shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohen për qëllime tjera në Europën Lindore, Kaukaz, Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore. Këto janë sfida serioze që kërkojnë investime serioze. Për këtë qëllim, investimi në mbrojtje është interes, të cilin qeveria duhet ta ketë parasysh”, deklaroi Ivanov.

Top Channel