Lewandowski kualifikon Bayernin, surpriza Ulm eliminon Eintrachtin e Frankfurtit

18/08/2018 18:29

Bayern Munich u kualifikua me shumë vështirësi në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë. Skuadra e Niko Kovaç, edhe pse zbriti me formacionin më të mirë të mundshëm në fushë, iu fal një goli të Robert Lewandowskit, 8 minuta përpara fundit, për të mposhtur ekipin e Dorchersten, që luan në kategorinë e katërt të futbollit gjerman.

Me rezultat minimal triumfoi edhe Wolfsburgu përballë Elversberg, skuadrës së ish mesfushorit të kombëtares shqiptare Alban Meha, i cili u aktivizua në 8 minutat e fundit të sfidës.

Spektakël dhuroi Hoffenheim që u kualifikua më tej me goleadë, pasi shpërfytyroi me rezultatin 6-1 Kaiserslautern në shtëpinë e këtyre të fundit. Me të njëjtat shifra Werder Bremen eliminoi modestët e Worms.

Me një fitore minimale avancoi më tej edhe Bayer Leverkusen, ndërsa surprizën e vërtetë e bëri Ulm, që me rezultatin 2-1, eliminoi që në raundin e parë të DFB Pokal, kampionen në fuqi të këtij kompeticioni, Eintracht Frankfurt.

Top Channel