Gjiganti informativ Reuters ka realizuar një reportazh në Athinë, ku qeveria përgatitet për të marrë këstin e fundit të paketës së tretë të shpëtimit, për t’u rikthyer në normalitet ekonomik më pas.

Ata kanë zgjedhur të bisedojnë me një pensionist, të cilin e kanë intervistuar edhe 6 vite më parë, kur Greqia merrte një tjetër hua, me synimin për të mësuar më mirë për situatën ekonomike dhe pritshmëritë e grekëve.

Më poshtë kemi sjellë në shqip, reportazhin e realizuar nag Reuters, ku theksohet se grekët e prekur nga kriza ekonomike, nuk besojnë se plani i shpëtimit do të përfundojë ndonjëherë.

– Me dy euro në xhepin e tij, 81-vjeçari Yorgos Vagelakos, një punëtor fabrike në pension, kërkon në tregun e fruta-perimeve në lagjen e tij në Athinë, për produktet që mund të përballojë.

Ashtu si shumica e pensionistëve, ai u godit rëndë nga kriza ekonomike e Greqisë. Mbi tetë vjet, paketat ndërkombëtare të shpëtimit të vendit kishin synuar sistemin e pensioneve dhe më shumë se një duzinë raunde shkurtimesh nxorën pothuajse gjysmën e të moshuarve nën vijën e varfërisë.

Tani, vendi po kërkon këstin e fundit të paketës së tretë dhe të fundit të shpëtimit, javën e ardhshme, por për Vagelakosin, ka pak vend për t’u besuar se “shpëtimi do të vijë ndonjëherë”.

“Për portokallat që unë do të blej, do t’ju paguaj javën e ardhshme”, i thotë ai një shitësi në treg. Gjysma e parave të tij tashmë kanë shkuar për disa kokrra rrushi.

“Dy euro javën e ardhshme. A do të jeni këtu? “, Pyet ai, duke marrë qesen me fruta. Përgjigja është afirmative dhe ai me shaka shton: Mirë, atëherë nuk do të vij, kështu që nuk do të më duhet të paguaj!

Reuters fillimisht intervistoi Vagelakosin në 2012-ën, kur Greqia nënshkroi një paketë të dytë shpëtimi, që e shpëtoi atë nga falimentimi dhe dalja nga eurozona.

Në atë kohë ai po shkonte në treg me 20 euro në xhep. Të ardhurat e tij mujore, duke përfshirë pensionin dhe përfitimet e tij, ishin shkurtuar në rreth 900 euro nga 1,250 euro. Sot regjistron të ardhura deri në 685 euro dhe borxhet janë në rritje, tha ai.

Vagelakos nuk mund të ndihmojë familjet e dy fëmijëve të tij, të cilët gjithashtu kanë probleme ekonomike, pasi me të ardhurat që, ka mezi mund të mbulojë nevojat e gruas së tij.

“U zgjova në mëngjes me një makth,” tha ai. “Si do të menaxhoj financat dhe përgjegjësitë e mia? Ky është mendimi që më zgjon çdo mëngjes”, tha Vagelakos.

Duke u ulur në tryezën e kuzhinës së shtëpisë së tij modeste, ai kalon nëpër duar një fletore, ku regjistron borxhet ndaj farmacisë dhe të tjerëve: “36.8 (euro), 47.5 plus 13 … Nëse i shtojmë kësaj pjesën tjetër e borxhit që duhet të paguajmë, çfarë na mbetet për të jetuar? ”

Pensionistët kanë organizuar protesta të shumta kundër masave shtrënguese të vendosura nga paketat e shpëtimit, por megjithëse ekonomia greke po fillon të rritet përsëri, megjithëse në mënyrë modeste, ata mund të përballen me një dhimbje më të madhe. Ndryshimet në rregulloret e pensioneve nënkuptojnë shkurtime të tjera që priten në 2019.

“Memorandumi (shpëtimi) kurrë nuk do të përfundojë,” tha Vagelakos. Duke iu referuar një plani nga partnerët evropianë të Greqisë për të ndjekur nga afër financat e saj pas përfundimit të shpëtimit më 20 gusht, ai tha:

“Edhe nëse përfundojnë në gusht, ne kemi mbikëqyrjen e përhershme, e cila nuk është një memorandum, por një shërbim memorial i vazhdueshëm për ne”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA