Pas tragjedisë vijnë polemikat. Ndërsa qindra pjesëtarë të skuadrave të shpëtimit kërkonin për ndonjë të mbijetuar, pas shembjes së urës në Genova, të gjithë pyesnin sesi ka mundësi që një aksident i tillë të ndodhë në një vend të industrializuar e modern, ekonominë e 8 më të madhe të botës.
Gishti është drejtuar diku dhe ka pasur edhe thirrje për prerje kokash. E ndërtuar në vitet ’60, ura “Morandi” ishte një nyje kyçe e autostradës A10, që lidh Italinë veriperëndimore me Francën, duke përshkuar lumin Polcevera, në Genovën qendrore.
Dëshmitarët okularë folën për rrufe që goditën strukturën, disa sekonda para shembjes. Inxhinierët e vënë në dyshim mundësinë se një rrufe mund të ketë shkaktuar një shkatërrim të tillë.
Por, në anën tjetër, ka pasur prej vitesh paralajmërime se diçka e tillë do të ndodhte. “Autostrade per l’Italia”, kompania private që ka kontratën për mirëmbajtjen e autostradës A10, ka thënë se struktura monitorohej në mënyrë konstante, madje përtej kërkesave ligjore, dhe se nuk kishte pasur arsye që ajo të konsiderohej e rrezikshme.
Ministri i Transportit kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të drejtuesve kryesorë të kompanisë. Vet presidenti italian tha se kompania ishte përgjegjëse për garantimin e sigurisë së urës, e se qeveria nuk do të priste rezultatin e një hetimi kriminal, që ka filluar tashmë, para se të ndërmerrte masa.
“Autostrade per l’Italia” tani rrezikon të përballet me gjoba dhe pagesa kompensimi, e mundet madje edhe të humbasë koncesionin. Ajo që ndodhi me urën “Morandi” ka bërë tashmë që të hidhen sytë edhe në pjesën tjetër të infrastrukturës, e cila do t’iu nënshtrohet kontrolleve të dyfishta.
Në fakt, siç shkruan “Corriere della Sera”, 10 ura janë shembur në Itali gjatë 5 viteve të fundit. Fondet për mirëmbajtjen e rrugëve në Itali, sipas OECD-së janë shumë më të ulëta sesa ato të vendeve fqinje, Franca dhe Gjermania.
Top Channel