Presidenti amerikan Donald Trump i ka revokuar në mënyrë të papritur certifikatën e sigurisë ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, në një akt të paprecedentë ndëshkimi ndaj një ish-zyrtari të lartë, kritik të zëshëm ndaj tij.
Më vonë, në një intervistë për “Wall Street Journal”, Trump bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes hetimit për ndërhyrjen ruse dhe vendimit të tij, duke përmendur Brennanin mes atyre që ai i konsideron përgjegjës për atë hetim.
“Unë e kam quajtur një gjueti shtrigash të manipuluar, por është një mashtrim”, tha Trump për “WSJ”, në një shkrim të publikuar në faqen e internetit mesnatën e së mërkurës. “Dhe janë këta persona që e kanë udhëhequr atë. Ndaj, mendoj se ishte diçka që duhej bërë”.
Kjo lidhje në fakt nuk gjente pasqyrim në një deklaratë të mëhershme të së mërkurës, në të cilën Trumpi denonconte kritikat e ashpra të Brennanit ndaj vet atij dhe fliste me shqetësim mbi “rreziqet që mund të shkaktonte sjellja e çuditshme e tij”.
Presidenti argumentoi se po përmbushte “përgjegjësinë e tij kushtetuese për të mbrojtur informacionet e klasifikuara të vendit”.
Trump kërcënoi gjithashtu t’u hiqte certifikatat e sigurisë edhe një sërë individëve të tjerë, përfshi ish-krerë të Inteligjencës apo zyrtarë të agjencive ligjzbatuese, sikurse edhe anëtarëve aktualë të Departamentit të Drejtësisë. Që të gjithë këta janë kritikë të presidentit, ose njerëz për të cilët Trump beson se po veprojnë kundër tij.
Veprimi i Trumpit ndaj Brennanit, siç thonë ekspertë kritikë dhe jopartiakë, ka shënuar një politizim të paprecedentë të procesit të certifikatave të sigurisë në qeverinë federale. Madje është gjithashtu edhe një përshkallëzim i qartë i betejës së Trumpit me pjesëtarë të komunitetit amerikan të kundërzbulimit, pasi hetimet mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane apo bashkëpunimi i mundshëm i Trumpit me ta, si dhe pengimi i drejtësisë po vazhdojnë.
Brennan tha se nuk kishte mësuar as nga CIA dhe as nga Zyra e Drejtorit të Kundërzbulimit Kombëtar (ODNI) për revokimin e certifikatës së tij të sigurisë, por e kishte mësuar këtë vetëm pas shpalljes së Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, askush nuk e detyron një president që të njoftojë krerët e lartë të kundërzbulimit mbi planet e tij për të revokuar certifikata sigurie.
“Presidenti ka autoritetin final për të vendosur se cilët do të mbajnë një certifikatë sigurie”, tha ODNI-ja në një deklaratë.
Ish-drejtorëve të CIA-s dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të sigurisë kombëtare, zakonisht u lejohet të mbajnë certifikatat e tyre, të paktën për një periudhë, në mënyrë që të mund të jenë në gjendje për të këshilluar pasardhësit e tyre, e sigurisht për të pasur mundësi të ruajnë disa punë.
Deklarata e Trumpit thoshte gjithashtu se çështja “Brennan” ngre pikëpyetje mbi praktikën e lejimit të ish-zyrtarëve të mbajnë certifikatat e sigurisë, e për këtë shkak zyrtarë të tjerë janë në proces rishikimi. Mes tyre, edhe ish-drejtori i FBI-së, James Comey; ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper; ish drejtori i CIA-s, Michael Hayden; ish-këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice; si dhe Andreë McCabe, i cili shërbeu si zv.drejtor i FBI-së nën drejtimin e Trumpit, derisa u shkarkua në muajin mars.
Top Channel