Sulmi në “Westminster”, identifikohet i dyshuari. Një britanik me origjinë sudaneze

15/08/2018 11:46

Personi i ndaluar me dyshimin për sulm terrorist, pasi përplasi makinën e tij në “Westminster”, tashmë e ka një emër dhe sipas burimeve qeveritare britanike quhet Salih Khater.

29-vjeçari nënshtetas britanik, por me origjinë nga Sudani, po merret ende në pyetje nga policia në Londër. Policia ka ndërmarrë kontrolle në tri adresa në Birmingham dhe Nottingham, në vazhdën e hetimit ndaj sulmit të një dite më parë.

Tri persona u plagosën, pasi mjeti i drejtuar nga sudanezo-britaniku goditi çiklistët dhe këmbësorët gjatë orëve të pikut të lëvizjes, mëngjesin e së martës.

Automjeti tip Ford Fiesta, ngjyrë gri metalizato, u përplas më pas me barrierat e jashtme të sigurisë së Parlamentit, pak përpara orës 7:40.

I dyshuari nuk besohet gjithsesi të ishte një person nën mbikëqyrjen e shërbimit sekret MI5 apo policisë antiterror, por njihej si person problematik nga policia lokale. Ai nuk bashkëpunoi me oficerët pas arrestimit të tij, njofton “Scotland Yard”.

Dy persona u dërguan në spital pas përplasjes, e më pas dolën prej andej, ndërkohë që një i tretë mori ndihmën e shpejtë në vendngjarje për plagë të lehta.

Kontrollet u zhvilluan në dy adresa në Birmingham dhe një pronë rezidenciale në zonën Radford & Arboretum të Nottinghamit pasditen e së martës.

Khater besohet të ketë jetuar mbi një dyqan interneti në zonën Sparkbrook të Birminghamit, deri para 4 muaj më parë, e më pas u zhvendos në zonën Highgate të qytetit.

Disa dëshmitarë thanë ditën e djeshme se automjeti, i cili po lëvizte në krahun perëndimor të sheshit para Parlamentit, përplasi qëllimisht disa nga personat në publik teksa kaloi edhe në kahun e kundërt të lëvizjes.

Pamjet e publikuara nga BBC shfaqnin momentin e përplasjes dhe reagimin e një oficeri policie që kapërceu një barrierë për t’i dalë automjetit me armën e drejtuar. Pasagjeri i automjetit të parë që gjendej pas atij të terroristit tha se çiklistët u përplasën e u hodhën “gjithandej”, nga makina që lëvizte me rreth 40 km në orë.

Autori kishte mbërritur në Londër nga Birminghami një natë më parë. Shoferi i dyshuar u arrestua në vendngjarje nga oficerë të armatosur rëndë, që dyshuan prej fillimit se ai po përgatitej për një akt terrorist.

Pas arrestimit, policia tha se prioriteti i tyre është të kuptohen rrethanat dhe motivi i këtij sulmi. Ai ishte i vetëm në automjet në momentin e përplasjes, ndërsa në makinë nuk iu gjet asnjë armë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA