Instituti i Sigurimeve Shoqërore thotë se tkurrja e popullsisë nuk e cënon qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve. Zëvendësdrejtori Ali Emini shpjegon se, rënia e numrit të kontribuesve është marrë parasysh në reformën e pensioneve, që u bë në vitin 2014.
“Reforma e pensioneve ka pasur synim që të përcaktojë masa konkrete dhe objektiva që të parashikojnë edhe këtë rënie të popullsisë”, thotë Ali Emini.
Në variantin bazë të reformës së pensioneve, qeveria ka përllogaritur se deri në vitin 2040, popullsia do të ulet me rreth 235 mijë vetë nga niveli aktual. Por, çfarë ndodh nëse rrudhja e popullsisë do të jetë më e madhe?
“Sistemi është parashikuar të modifikohet një herë në 7-8 vite. Jo në kuptimin e ndryshimit të formulave dhe raporteve të pensioneve, sepse këto ndjekin trende shumë më të mëdha, 30/40-vjeçare. Por, për të parë dhe për të ndërhyrë në tregues të caktuar të skemës, që mund të pasqyrojnë këto problemet e zhvillimeve demografike. Gjithmonë sistemi do të jetë nën kontroll, me qëllim që të mos gjendemi përpara problematikave, që të krijojmë pastaj stres”, tha më tej Emini.
Qeveria ka në duar dy mekanizma për të mbajtur të qëndrueshme skemën e pensioneve. Rritjen e të ardhurave nga kontributet, ose kufizimin e shpenzimeve, duke e lidhur rritjen e pensioneve me atë të të ardhurave.
“Rritjet e pensioneve do të ndjekin zhvillimet e tyre, pasi bëhet mbi bazën e zhvillimit të treguesve të Sigurimeve Shoqërore dhe jo mbi bazën e dëshirave të momentit, qofshin këto sociale apo politike”, u shpreh Emini.
Rënia e popullsisë pritet të jetë një nga sfidat më të mëdha për ekonominë dhe financat e shtetit, pasi ajo rrudh të ardhurat nga taksat dhe rrit shpenzimet sociale, që qeveria bën nga buxheti.
Top Channel