Ligjvënësit në rajonin e pavarur serb të Bosnjës kërkuan nga qeveria rajonale të martën, të revokojë një raport të vitit 2004, i cili ka konkluduar se forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8,000 muslimanë në dhe përreth Srebrenicës, gjatë luftës së 1992-95 në vend.
Votimi u iniciua nga Presidenti nacionalist i Republikës Serbe, Milorad Dodik dhe disa analistë thonë se është çështja më e fundit e përdorur nga partitë qeverisëse serbe, për të mobilizuar votuesit rreth agjendës nacionaliste përpara zgjedhjeve në tetor.
Dodik, një avokat rajonit serb të shkëputur nga Bosnja, ka hedhur poshtë gjithmonë vendimet e dy gjykatave të krimeve të luftës, të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se mizoria është cilësuar si gjenocid.
Megjithëse ka pranuar ekzistencën e një krimi, Dodik thotë se numri i të vrarëve ishte ekzagjeruar në raportin e vitit 2004.
“Raporti është i parëndësishëm, jashtëzakonisht selektiv, i pasaktë dhe tendencioz”, i tha Dodik parlamentit, duke thënë se duheshin përfshirë edhe viktimat serbe në Srebrenicë.
Parlamenti arriti në përfundimin se duhet të formohet një komision i ri ndërkombëtar, i pavarur, për të përcaktuar dëmet e pësuara nga të gjithë popujt në rajonin e Srebrenicës.
Boshnjakët e hodhën poshtë kërkesën. “Asnjë rishikim i këtij raporti nuk mund të ndryshojë provat e dëshmuara në gjykata, lidhur me këtë dhe rastet e tjera të krimeve të rënda të luftës”, tha Ramiz Salkiç, nënkryetari boshnjak i Republikës Serbe.
Ndërkohë, delegacioni i BE në Bosnje tha në një deklaratë: Bashkimi Evropian hedh poshtë çdo mohim, relativizim apo keqinterpretim të genocidit në Srebrenicë. Ne gjithashtu dënojmë përdorimin e retorikës dhe veprimeve nxitëse etno-politike.
Një deklaratë e përbashkët nga tre trupa të tjerë duke përfshirë Ambasadën e SHBA në Bosnje, ishte gjithashtu kritike, duke thënë se ata “dënojnë fuqishëm shfrytëzimin cinik të raportit të Komisionit të Srebrenicës të vitit 2004, për qëllime politike në prag të zgjedhjeve”.
Top Channel