Rumania ka nisur një hetim lidhur me dyshimet për dhunë të ushtruar nga policia, gjatë protestave të javës së kaluar kundër qeverisë së majtë, që la pas qindra të plagosur.
Rreth 80 mijë vetë, shumica prej tyre rumunë që jetojnë jashtë vendit, demonstruan të premten në mbrëmje në Bukuresht, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe duke kërkuar që ajo të japë dorëheqjen.
Policia përdori ujin me presion, gazin lotsjellës, shkopinjtë e gomës e mjete të tjera për të shpërndarë turmën. Më shumë se 450 persona u plagosën, përfshirë 30 policë. Rreth 30 persona u arrestuan, gjë që çoi në kritika të gjera.
Në ditët që pasuan, përfshirë mbrëmjen e së hënës, pasi protesta të tjera më të vogla në numër, por që u zhvilluan pa incidente të dhunshme.
“Deri tani kemi marrë rreth 30 ankesa dhe kolegët e mi po intervistojnë ata që u plagosën”, tha prokurori Ionel Corbu, duke shtuar se, “të gjithë ata që dyshohet se kanë vepruar kundër ligjit” do të merren në pyetje.
Gjithashtu, prokurorët do të analizojnë edhe pamjet filmike të regjistruara nga forcat e sigurisë, shtypi apo demonstruesit. Autoritetet policore thanë se forcat e rendit u përgjigjën në mënyrë “proporcionale” ndaj dhunës, që – sipas tyre, – u krye nga dhjetëra huliganë futbolli, të cilët u përpoqën të thyenin kordonin e policisë duke hedhur mjete të forta ndaj forcave të sigurisë.
Udhëheqësi i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis, kritik i qeverisë, dënoi atë që e cilësoi “ndërhyrje brutale të policisë”. Ai tha se ishte përdorur forcë e tepruar, në ndryshim nga sjellja e shumicës së demonstruesve, dhe e akuzoi qeverinë për “krijimin e kaosit dhe trazirave”.
Në Rumani janë zhvilluar protesta të shpeshta rreth më shumë se një vit më parë, por rastet e dhunës kanë qenë të rrallë. Gjatë 15 viteve të fundit, rreth 4 milionë njerëz janë larguar nga Rumania, një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara anëtare të BE-së, me një pagë mesatare mujore prej vetëm 590 dollarësh.
Top Channel