Ai do të mbahet mend për betejat epike që i rezervoi kundërshtarëve më të njohur. Michael Schumacher apo Hamilton e kanë provuar se nuk mund të bëjnë llogari në pistë me një makinë rivalizuese dhe Fernando Alonson në timon, por tani cirkuiteve anembanë botës, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, do t’i mungojë piloti spanjoll.

Fernando Alonso preferoi një video në rrjetet sociale për t’i komunikuar miliona tifozëve të Formula 1 se nuk do të garojë më në kategorinë spektakolare.

“Pas 17 vjetësh të mrekullueshëm, është koha për një ndryshim. Kam shijuar çdo minutë në këtë sport dhe nuk mund të mos falenderoj të gjithë njerëzit që e bënë karrierën time speciale”, tha piloti spanjoll.

Fernando Alonso deri më tani ka 32 fitore dhe 97 podiume. Ai ka fituar titullin kampion bote në 2005 dhe 2006 me Reno, ndërsa për 4 vjet ishte timonieri kryesor i Ferrarit në Formula 1. Kalimi te McLaren e çoi në anonimat para vendimit të fundit që të mos garojë më. Në të ardhmen e spanjollit janë seritë Indycar dhe garat 24 orë të Lë Manshit.

Top Channel