Tender i ri për rrugën 500 mln lekëshe që “prangosi” dy drejtorë

13/08/2018 15:34

Për abuzimet me ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar janë në procedim penal dy ish-drejtorë rrugësh, Andi Toma dhe Dashamir Xhika.

Por, përtej dëmit monetar të zbuluar, tani buxhetit të shtetit i duhet të financojë një tender të ri për ndërhyrje në ato pjesë të rrugës ku nuk janë kryer punimet, apo ku rikonstruksioni ka qenë jashtë standardeve, duke bërë që ky segment të prishet brenda një kohe të shkurtër.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin e rishikimit të punimeve të mbetura në aksin rrugor Elbasan-Gjinar, i cili do të përcaktojë sa fonde duhen. Kështu, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të duhet të shkojnë përsëri për një vepër që është financuar vetëm pak vite më parë.

Rrëshqitjet e tokës në aksin Elbasan-Gjinar nisën vetëm një vit pas ndërtimit të saj, ndërkohë që në gjithë këto vite, qarkullimi herë bllokohet dhe herë lejohet në varësi të kushteve të rrugës.

Për këtë rrugë me gjatësi rreth 23 kilometra u investuan fillimisht 417 milionë lekë, por më vonë vlera shkoi në 500 milionë lekë. Hetimet e Prokurorisë zbuluan më vonë se, me gjithë fondin e konsiderueshëm rezulton se punimet nuk janë kryer. Ekspertët e pavarur, të kërkuar nga Prokuroria, thonë se në total dëmi ekonomik ka një faturë prej 170 milionë lekësh.

Përveç dy ish-drejtorëve të rrugëve, në procedim penal janë dhe administratorët e firmës dhe kolauduesit, që duhej të konstatonin në përfundim të punimeve fiktive se çfarë kishte ndodhur në terren.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA