FITCH paralajmëron: Vitin tjetër, rritja ekonomike mund të ngadalësohet

12/08/2018 16:17

Pas “Standards and Poors”, edhe gjiganti tjetër financiar, “FITCH Ratings” përmirësoi parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2018-ën.

Por në vlerësimin e detajuar për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, FITCH pret që rritja ekonomike të frenohet vitin e ardhshëm, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë europiane.

“Ekonomia shqiptare u rrit me shifrën robuste 4.4 për qind në tremujorin e parë. Për këtë arsye ne kemi rritur parashikimin për rritje vjetore të 2018-ës, nga 3.7 për qind në 4 për qind”, thotë gjiganti financiar.

Por sipas FITCH, pas momentit pozitiv të këtij viti, ekonomia shqiptare mund të humbasë terren, për shkak të efekteve negative nga jashtë.

“Edhe pse besojmë se kërkesa e brendshme do të vazhdojë të rritet, ne presim që në 2019-ën rritja ekonomike e Shqipërisë të zbresë në 3.5 për qind, për shkak të ngadalësimit që po ndodh në partnerët kyç të eurozonës”, raporton FITCH.

Gjatë dy viteve të fundit ekonomia shqiptare, ka përfituar nga situata e mirë ekonomike në eurozonë duke eksportuar më shumë mallra dhe shërbime drejt tregjeve të BE-se.

Por në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja ekonomike e zonës euro zbriti në nivelin më të ulët të dy viteve, për shkak të shqetësimeve nga lufta tregtare mes SHBA-së dhe fuqive të tjera të mëdha ekonomike.

Sipas FITCH, ky frenim i aktivitetit ekonomik në Europë, e veçanërisht në Itali do të dëmtojë edhe ekonominë shqiptare, duke frenuar eksportet dhe flukset e tjera të të ardhurave që vijnë nga jashtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA