Masakër në Vlorë, 24-vjeçari vret 8 anëtarë të fisit të tij

10/08/2018 19:40
Autori, 24-vjeçari Ridvan Zykaj

Në Resulaj të Bashkisë së Selenicës, në Qarkun e Vlorës, u regjistrua pasditen e së premtes një ndër ngjarjet më të rënda në dy dekadat e fundit. Një person ka ekzekutuar në gjakftohtësi 8 persona, anëtarë të dy familjeve Zykaj, me banim në po të njëjtin fshat.

Top Channel mëson emrat e viktimave të krimit të 24-vjeçarit. Ata janë Azem Zyka, Afërdita Zyka, Demir Zyka, Ferie Zyka, Besim Zyka, Vasilika Zyka, Sara Zyka dhe Ledjon Zyka.

Nga të dhënat e deritanishme, raportohet se autori ka vrarë vëllain e gjyshit të tij Demir Zykën, bashkëshorten e tij, 2 djemtë e çiftit Zyka (kushërinjtë e parë të babait të autorit) si edhe nipin e mbesën 14 dhe 6 vjeçe (kushërinj të dytë me autorin).

Gazetarja e kronikës në Top Channel, Anila Hoxha bën të ditur se masakra ka ardhur si pasojë e një konflikti për pronat. Autori 24-vjeçar nuk njihet si i sëmurë mendor, por përdorues droge. Sipas burimeve të Prokurorisë, në hetimet për këtë ngjarje të rëndë do të përfshihen edhe Krimet e Rënda në Tiranë, ndërkohë që momentalisht janë marrë në pyetje prindërit e vrasësit.

Sherri, siç mësohet nga hetuesit, ka nisur pas festës së fshatit. Autori ka debatuar me njërën nga viktimat për një gardh, prej së cilës është ofenduar, e në gjakftohtësi e sipër ka shkuar të marrë armën për të kryer aktin makabër.

Autori 24-vjeçar Ridvan Zykaj u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa po kërkohet nga forca të shumta policie të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhen po në këtë qark kanë dalë në aksion për kapjen e tij, pasi konsiderohet tejet i rrezikshëm dhe i armatosur.

Lexo edhe:
Autori i rrezikshëm, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

Ndërkohë që edhe forca të tjera shtesë nga Tirana janë nisur drejt Vlorës. Reparti RENEA është vënë menjëherë në lëvizje. Të gjitha fshatrat rreth e rrotull Resulajt, i Njësisë Administrative Vllahinë, janë rrethuar nga uniformat blu për gjetjen në kohë të shpejtë të Ridvan Zykajt.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili konfirmoi edhe zyrtarisht për Policinë e Shtetit se, nga këqyrja e vendit të ngjarjes numërohen 8 viktima, të afërm me njëri-tjetrin.

Policia ende nuk ka një motiv të qartë të ngjarjes, se përse është shkaktuar. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipërinë e pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.

FOTO GALERI
3/9
Autori 24-vjeçar Ridvan Zykaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA