Ivan Rakitiç bëri një paraqitje shumë të mirë në Botërorin e Rusisë, e kjo nuk ka mbetur pa u vënë re nga klubet më të rëndësishme të Europës.

Tashmë, interesi për shërbimet e mesfushorit kroat është rritur ndjeshëm, sidomos në Francë, ku ato që duket se i kërkojnë më hapur shërbimet e Rakitiç janë pikërisht Paris SG dhe Monaco.

Që nga momenti që erdhi te Barcelona, Rakitiç ka qenë titullar i padiskutueshem i “blaugranave”. Sezonin e kaluar, prania e tij përkrah Sergi Busquets në skemën 4-4-2 të Ernesto Valverdes ishte shumë e rëndësishme.

Orët e fundit, në medien britanike u fol për një përfshirje të kroatit në bisedimet me Manchester United për Paul Pogba, por Rakitiç ka shprehur gjithnjë dëshirën e tij për të qëndruar në “Camp Nou”. Kroati ka me Barcelonën një kontratë deri në vitin 2021, me klauzolë zgjidhjeje prej 125 milionë euro.

Ai që shqetëson më shumë Barcelonën është Parisi, që ka fuqinë ekonomike për të paguar klauzolën e kontratës së Rakitiç, e sidomos për raportet e mira që ekzistojnë tashmë mes klubeve, pas asaj që ndodhi me Verratin e Rabiot, e sidomos me Neymarin.

“Transalpinët” tentuan fillimisht të blinin Kante, por Chelsea refuzoi bisedimet, kështu që kampionët e Francës hodhën sytë nga Rakitiç.

Ndërsa Monaco, që pret të sigurojë shifrën e 180 milionë eurove nga PSG-ja për Mbappe, ka shitur Lemar e Fabinho për shifrën totale të 115 milionë eurove, ndaj kërkon të përforcohet për të konkurruar në kompeticionet europiane e për të rivalizuar fort me Parisin në Ligue 1.

Ivan Rakitiç duket zgjedhja e duhur për Monacon, e kjo ka mjaftuar që te Barcelona të shqetësohen për të ardhmen e tij, me katalanasit që gjithsesi nuk duken se dëshirojnë ta nxjerrin atë në merkato.

Top Channel