Pagesat e qeverisë për koncesionet do të rriten me 35 milionë euro gjatë vitit të ardhshëm për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se për vitin që vjen, buxheti i shtetit do të paguajë rreth 111 milionë euro për kompanitë koncesionare, nga 76 milionë euro që është shifra për këtë vit.
Sipas Ministrisë së Financave, pjesa dërrmuese e kësaj rritjeje është rezultat i hyrjes në fuqi të dy kontratave të reja, përkatësisht rrugës së Arbrit dhe koncesionit për ndërtimin e 17 shkollave në Tiranë.
Aktualisht këto vepra janë duke u ndërtuar nga kompanitë private me fondet e tyre, por sipas kontratave, pasi privatët të kenë kryer 25 për qind të investimit, qeveria do të nisë shlyerjen e tyre me këste nga buxheti.
Sipas tabelave të Ministrisë së Financave, për rrugën e Arbrit duke nisur nga 2019-a, buxheti do të paguajë 20 milionë euro në vit, ndërsa për shkollat e Tiranës pagesa do të jetë 12 milionë euro.
Në programin buxhetor afatmesëm qeveria parashikon që pagesat për koncesionet të vijnë në rritje viti pas viti, për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja.
Sipas tabelave në vitin 2021 pagesat totale për koncesionet do të arrijnë në rreth 145 milionë euro, por sipas Ministrisë së Financave kjo shifër është brenda kufirit 4 për qind të të ardhurave buxhetore.
Top Channel